Kuvendi mblidhet në seancë plenare. Ministri Genc Ruli, sqaron projektet

“Marrëveshjet energjetike me Italinë transparente, janë negociuar nga ekspertë”
Seanca plenare e ditës së djeshme ka zhvilluar normalisht punimet nën drejtimin nënkryetarit të Kuvendit, Neritan Ceka. Diskutime për çështje jashtë rendit të u fokusuan kryesisht te projektet e zhvillimit energjitik të vendit, si linja e gazit, linja e inerkonjeksionit dhe projekti energjitik i Lezhës.
Duke marrë shkas nga vizita e fundit e Kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjes të rëndësishme me qeverinë italiane dhe me disa kompani të rëndësishme italiane, në fushën ekonomike, ku pjesa dërrmuese e tyre, i takonte sektorit energjetik, për të cilin të dy vendet kanë shprehur interes të gjerë.
Lidhur me këtë çështje pati mjaft kritika nga ana e opozitës, sipas së cilës ka një mungesë transparence nga ana e qeverisë, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara me palën italiane, gjatë vizitës në Tiranë të Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni. Lidhur me projektin për ndërtimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit, me vlerë 1 miliardë euro, ministri Ruli evidentoi përparësitë e tij në zhvillimin e vendit.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, tha dje në Kuvend se “marrëveshjet e nënshkruara me Italinë për projektet në fushën energjitike janë transparente pasi janë negociuar me një ekspertize të kualifikuar”. Një nga prioritetet e këtij projekti është se “projekti i krijon mundësi Shqipërisë të krijojë një treg të gazit për qëllime energjetike”.
Më tej, ministri Ruli bëri të ditur se “avantazhet që do të kemi nga ky investim prej 1 miliardë eurosh është se ai do të jetë një burim punësimi, do të përmirësojë ndjeshëm rrjetin rrugor të zonës, duke rehabilituar rreth 50 km rrugë ekzistuese dhe 70 km të tjera rrugë të reja, ndërsa të ardhurat fiskale do të jenë 30% e shumës së investimit”, sqaroi ministri Ruli në Kuvend.
...