E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mblidhet të hënën më 5 shtator

01-09-2011 / Gazeta 55

Nis sesioni i ri parlamentar

Parlamenti i rikthehet jetës aktive, pas pushimeve 1 mujore të verës. Konferenca e kryetareve mblidhet nesër më 2 shtator, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të opozitës. Burime zyrtare pranë Kuvendit bëjnë të ditur se në mbledhjen e ditës së nesërme, pritet të miratohet kalendari 3 javor i punimeve të Kuvendit. Ndërsa seanca e parë e sesionit të vjeshtës, do të zhvillohet pasditen e së hënës, më 5 shtator. Ajo do të nisë me një fjalë përshëndetëse të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Pas thirrjes së Kuvendit, në ditët e javës në vijim do të nisë puna edhe në komisionet parlamentare, për të diskutuar projektligjet e depozituara nga ekzekutivi gjatë 2 muajve të fundit. Por, në pritje të gjatë në sirtarët e Kuvendit janë dhe 16 nisma ligjore të rëndësishme që kërkojnë dhe votat e opozitës për miratim. Risia e këtij sesioni parlamentar, është rikthimi i plotë i opozitës në Kuvend, pas prezantimit të kursit të ri politik.
Ashtu siç edhe është komunikuar, opozitarizmi do të fokusohet kryesisht te interpelancat ndaj kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë. Gjithashtu, deputetët demokratë do të zhvillojnë të hënën në mesditë, pak orë para seancës plenare, mbledhjen e zakonshme të grupit parlamentar.
Në kuvend, parashikohet që përveç ligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar pjesë e diskutimit politik, të jetë edhe tryeza e reformës zgjedhore, ku si mazhoranca edhe opozita në daljen mediatike janë shprehur “pro” këtij hapi, ndërsa opozita e ka kushtëzuar këtë hap edhe me ndryshimet Kushtetuese.
Gjithsesi duket se diskutimi i lirë, i seancës së parë plenare, e cila mbahet ditën e hënë, do të marrë diskutime për çështjet më të nxehta, që lidhen me Reformën Zgjedhore dhe raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Gjithashtu, sesioni i ri kuvendor pritet të jetë një sfidë e vërtetë, jo vetëm për mazhorancën dhe opozitën, por edhe për të ardhmen e vendit në tërësi.
Dorëzimi i dokumentit të progres-raportit të Shqipërisë për vitin 2011, bëhet jo më larg se data 12 tetor. Por, në mënyrë që paragrafët e dokumentit të Komisionit Evropian të jenë me nota pozitive si dhe t’i rekomandojnë Brukselit dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duhen plotësuar rekomandimet e KE-së. Ky është edhe objektivi madhor i Kuvendit gjatë këtij sesioni parlamentar, i cili si ndryshe nga vitet e shkuara, ka nisur më herët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›