E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mbyll dyert më 28 maj

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi mbyll zyrtarisht punimet parlamentare më 28 maj, duke i dhënë fund legjislaturës së XVII, që nisi më 3 shtator - 28 maj 2008 me mungesën e opozitës. Me 76 vota pro, deputetët e maxhorancës kanë votuar për mbylljen e punimeve. Sipas kryeparlamentares Jozefina Topalli, ky është edhe afati i fundit ligjor. Në seancën e fundit, opozita nuk ka marrë pjesë, duke e cilësuar si të jashtëligjshme një gjë të tillë. Deputetët e PS-së, LSI-së, PDS-së dhe PSD-së nuk ishin fare të pranishëm. Gjithashtu në këtë seancë ra në sy edhe mungesa e deputetëve të grupit parlamentar të PDK-së dhe të PBDNJ-së, partisë tashmë të dalë në opozitë. Mungesa e një numri të konsiderueshëm të deputetëve ka sjellë bllokimin e ligjit “Për Gjykatën Administrative”, pasi nevojiteshin 84 vota për t’u kaluar. Në momentin e votimit të kuorumit në sallë kanë qenë 72 deputetë, çka e ka bërë të pamundur kalimin e një projektligji të tillë. Kryeparlamentarja Topalli shprehu pakënaqësinë duke theksuar se, “janë bërë të gjitha përpjekjet që ky projektligj kaq i rëndësishëm të kalojë për votim. “Ndërsa kryeministri Sali Berisha akuzoi ashpër kreun e PS-së për mosdhënien e një konsensusi të tillë për një projektligj të rëndësishëm. “Ky ligj nuk i lejon kryetarit të bashkisë që nga dhjetëra studio projektimi, qindra arkitektë të shkolluar në Shqipëri, por edhe në shkollat më të mira të Evropës dhe të botës të injorohen dhe vetëm dy studio të marrin në një vit 59 leje ndërtimi”, tha kryeministri. Ndërsa i ka bërë një ftesë publike LSI-së për të votuar një projektligj të tillë, duke paralajmëruar edhe mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme deri në mbylljen e punimeve të Kuvendit. “Mendoj se pavarësisht fushatës elektorale, në rast se pala tjetër ose në rast se LSI apo ndonjë nga forcat politike vendos të bashkojë votat me ne edhe në sesion të veçantë, të mblidhemi për ato 84 vota dhe ta votojmë këtë ligj edhe si detyrim, edhe si respekt ndaj biznesit, të të mirave materiale të këtij vendi, sepse biznesi ka nevojë të domosdoshme për këtë. Ky Kuvend e ka mandatin. Në çdo kohë mbetemi të vendosur të përdorim mandatin tonë për ta votuar këtë ligj, nëse pala tjetër është e gatshme”, deklaroi Berisha. Maxhoranca e djathtë miratoi dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e Viktor Gumit në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Me 73 vota pro maxhoranca e pranishme votoi për dekretin e Presidentit për të caktuar Gumin në postin e ministrit. Në këtë votim ka qenë e pranishme e gjithë qeveria, kryeministri Berisha dhe ministrat. Fillimisht u votua për dekretin e kreut të shtetit për shkarkimin e ministrit të vetëdorëhequr Anastas Duro, përfaqësues i PBDNJ-së, i cili e kishte marrë këtë post në tetor të vitit të kaluar.  Të gjitha këto projektligje u miratuan me 75 dhe 76 vota pro nga maxhoranca, ku në sallë kanë qenë demokratët, republikanët dhe agrarët. Socialistët kishin bërë publike se nuk do të ishin prezent në seancën e Kuvendit, duke u shprehur se ky ishte një veprim i jashtëligjshëm nga ana e kryeparlamentares Topalli. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se, “është absurde. Na njoftuan me sms për seancën”. “U njoftuam verbalisht për seancën. Kështu nuk mund të funksionojë Kuvendi. Seancat zhvillohen zakonisht të enjteve paradite. Ne nuk bëhemi pjesë e mënyrës së degraduar se si punon Kuvendi”, theksoi Leskaj.

votimet

Votimi i dekretit për shkarkimin e ministrit të Punës, Anastas Duro Pro 73 deputetë Votimi i dekretit për emërimin e ministrit të Punës, Viktor Gumi Pro 73 deputetë “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare që kanë nënshkruan marrëveshje me Qeverinë” Pro 75 deputetë Projektvendimi “Për mbylljen e legjislaturës”, Pro 76 deputetë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›