E Diel, 1 Nëntor 2026

Sollaku: Vendim nul, si të miratohej Berisha kryeministër edhe për 4 vjet

 

Ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku e cilëson si antikushtetuese komisionin hetimor “Rama II” dhe konkluzionet e nxjerra mbrëmë në raportin e votuar nga ana e Kuvendit. Raportin e mbrëmshëm të votuar vetëm nga maxhoranca, Sollaku e cilëson si të paefektshëm juridikisht. Doktori i shkencave juridike, lektor i të Drejtës Kushtetuese pranë UET deklaroi se, “unë mendoj se komisioni Xhaferaj nr. 2 dhe konkluzionet e tij ratifikuan përfundimisht një parlament të turpit, një parlament që do mbahet mend gjatë në historinë e parlamentarizmit shqiptar për shkeljet e shumta kushtetuese, një parlament që shërbeu  për të mbuluar bëmat e kryera nga lidershipi burracak i sotëm”. “Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj dhe Kushtetutë, që Kuvendi nuk mund të ngrejë në katër muajt e fundit të mandatit të tij komisione hetimore; se këto të fundit janë mjete të kontrollit parlamentar që përdoren nga opozita, sepse maxhoranca i ka të gjitha mekanizmat për të provuar një çështje me rëndësi të veçantë; se aktet me karakter administrativ nuk mund t’i anulojë Kuvendi, por veçse gjykata”, deklaroi Sollaku për “Panorama”. Sipas tij, “ky komision tregoi se lidershipi aktual i ngjan një burracaku, që fshihet pas vendimeve kolegjiale, pasi nëse vërtet do të kishte shkelje ligjore nga kryetari i Bashkisë, kryeministri mund të shfrytëzonte prerogativën kushtetuese duke e shkarkuar nga detyra kryetarin, dhe ky i fundit pas kësaj të shkonte të ankohej në Gjykatën Kushtetuese”. “Nuk u përdor rruga kushtetuese, por u gjet rruga më e shkurtër, duke keqpërdorur gjynahqarë të tipit Xhaferaj, që e kanë çuar në fund të këmbëve personalitetin e deputetit, vetëm për të kapur një vend në listën e deputetëve të ardhshëm”, theksoi Sollaku. Për ish-kryeprokurorin, “vendimi i Kuvendit për nga pasojat është nul, është njësoj sikur Kuvendi të miratonte një vendim që të caktonte edhe për katër vjet të tjera Saliun si kryeministër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›