Meta: Liberalizojmë vizat brenda 2009
Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi dje Planin për Veprim në qytetin e Durrësit, duke dhënë afate për liberalizimin e vizave. Lideri i LSI-së, Meta, i shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Durrës, Lefter Koka e Artur Zheji garantoi se pas fitores në 28 qershor, kjo forcë politike do të realizojë heqjen e vizave brenda rajonit deri në fund të vitit 2009, dhe do të realizojë lëvizjen e lirë në BE brenda një viti. Duke folur për rëndësinë e përdorjes së Portit të Durrësit, Meta tha se, “ndërkohë që për fat të mirë po përfundon një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Kosovën, por në përgjithësi për rajonin e Ballkanin, rruga që lidh Durrësin me Kukësin dhe me Kosovën, për fat të keq nuk është bërë asgjë për të rritur kapacitetet përpunuese të Portit të Durrësit. Nuk është bërë asgjë për ta vënë këtë port shumë të rëndësishëm në shfrytëzim të plotë që t’i përgjigjet një fluksi të madh, të transportit të mallrave nga Shqipëria në Kosovë, por dhe në Serbinë Jugore në të gjithë këtë korridor të ri të Ballkanit”. Meta tha se dy prioritetet e LSI-së për Durrësin janë dyfishimi i kapaciteteve përpunuese brenda 4 viteve të ardhshme të Portit të Durrësit, që të kthehet në një nga portet më të fuqishme të Ballkanit dhe krijimi dhe ndërtimi i një porti të ri peshkimi. “Programi ynë synon të heqë tatim-fitimin për çdo biznes të ri që krijohet në të ardhmen, që punëson të paktën mbi 5 veta dhe për çdo numër në rritje do të ketë lehtësira të përshkallëzuara. Së dyti, programi ynë synon që për çdo vend të ri pune që krijohet në çdo biznes ekzistues, përsëri të kemi një zbritje të tatimeve deri në 5 mijë lekë, në varësi të llojit të biznesit dhe vendit të punës”, vijoi më tej Meta.