Kuvendi miratoi Rezolutën në mbrojtje të sovranitetit
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbështetje të veprimit të qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë në veri, me 89 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim.
Përmes kësaj rezolute Kuvendi mbështet të drejtën kushtetuese për ushtrimin e kontrollit në tërë territorin e Kosovës, kërkon respektimin e masave të reciprocitetit në raport me Serbinë, si dhe fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin.
Po ashtu, Kuvendi kërkon nga Qeveria që të vazhdojë me angazhimin e saj për vendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, si dhe për shtrirjen e autoritetit në veri dhe fton qytetarët për ruajtjen e qetësisë dhe rendit kushtetues.
Pasdite, seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilëve edhe ai për vlerat e luftës.
Mbështesin veprimet e Qeverisë në veri
Kuvendi i Kosovës po debaton për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës, ndërkohë që pritet të miratohet edhe një rezolutë në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në pikat kufitare 1 dhe 31. Grupet parlamentare kanë mbështetur nxjerrjen e një rezolute, përmes të cilës Kuvendi do të fuqizojë të drejtën kushtetuese të institucioneve të Republikës së Kosovës për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka lexuar pikat e rezolutës, duke kërkuar mbështetjen e plotë të ligjvënësve.
“Kuvendi fuqizon të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin. Kuvendi mbështet Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit. Kuvendi kërkon nga Qeveria që me mjetet e saj ligjore dhe kushtetuese të ruajë tërësinë territoriale. Kuvendi kërkon që të respektohen masat e reciprocitetet me Serbinë në të gjitha pikat doganore. Kuvendi fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e vendit në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin. Kuvendi i Kosovës fton qytetarët që t’i respektojnë vendimet e qeverisë dhe u bënë thirrje që pa asnjë dallim ta ruajnë qetësinë dhe rendin kushtetues”, ka thënë Grabovci.
Në emër të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo parti i vlerëson si kriminale dhe të papranueshme veprimet e bandave kriminale serbe të nxitura nga Beogradi zyrtare.
Ai ka thënë se LDK-ja dënon djegien e pikës doganore dhe u bënë thirrje strukturave ndërkombëtare të sigurisë që të përmbushin mandatin e tyre për ruajtjen e sigurisë në tërë territorin e Kosovës.
“LDK edhe njëherë shpreh mbështetjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit, për sundimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin, për luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës”, ka thënë Beqiri, duke i shprehur ngushëllime familjes së policit të rënë në detyrë dhe duke ftuar qytetarët për ruajtjen e qetësisë.
Ndërkaq Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka rikujtuar se kjo lëvizje kishte kërkuar që në vitin 2008 ndërhyrjen me njësitet speciale në veri të vendit për të shtrirë autoritetin në këtë pjesë, por sipas tij, Qeveria i kishte cilësuar këto si nxitje për dhunë.
Konjufca ka inkurajuar Qeverinë që ta kthejë kontrollin në pikat doganore, mirëpo ka vlerësuar se kryeministri Hashim Thaçi ka treguar se është “i etur” për sukses personal.
Me këtë rast, Konjufca në emër të Vetëvendosjes ka propozuar që në bazë të nenit 131 të Kushtetutës, presidentja Atifete Jahjaga duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin, të ndërpritet zyrtarisht procesi i bisedimeve me Serbinë dhe të aktivizohen resurset e qytetarëve për mbrojtjen e vendit dhe të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë, me SHBA-në, shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe me Turqinë për shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri.
Ai, po ashtu, ka propozuar që Kosova të fillojë menjëherë bisedimet me Brukselin për përfundimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, ose eventualisht të ketë mision mbështetës e jo ekzekutiv në Kosovë, ndërkaq ka thënë se Qeveria duhet të paraqesë në Kuvend strategjinë për marrjen e veriut të vendit.
“Vetëm bashkimi, mobilizimi i gjithë qytetarëve dhe subjekteve për t’i mbështetur institucionet për ta mbrojtur Kosovën është rruga e vetme për ruajtjen e tërësisë territoriale. Nëse vazhdojmë me aktrimin për shqyrtimin e ligjit për verërat e duhanin, ne si Vetëvendosje paralajmërojmë se nuk do të jemi pjesë e kësaj maskarade”, ka thënë Konjufca.
Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka dhënë mbështetje për vendosjen e rendit dhe ligjit, por ndërkohë ka kritikuar Qeverinë, e cila flet për dialog me Serbinë dhe pikërisht me Borisllav Stefanoviqin, i cili i shtyri bandat serbe për djegien e pikës kufitare.
“Kjo qeveri edhe më tej flet për dialogun, ndërsa në veriun e Kosovës nxitet dhuna pikërisht nga Borko Stefanoviq, ai me të cilin ka dialoguar dhe pretendon të dialogojë kjo qeveri. Kjo sjellje në këtë mënyrë ka ndikuar që të kemi këtë gjendje të tanishme në veriun e Kosovës. Konsiderojmë se duke pasur parasysh se kryeministri thotë se e kemi planin për të pasur rend dhe ligj në veriun e Kosovës, për të pasur sovranitet, ky plan duhet të përfundohet deri në detaje, sepse Kosova duhet të qeveriset, të administrohet dhe të jetë nën sistemin institucional të Republikës së Kosovës”, ka thënë Isufi.
Ligjvënësit kanë inkurajuar Qeverinë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ndërkaq ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ata që më së shumti kanë ngritur zërin duke kërkuar mobilizim të popullit dhe të institucioneve, si mënyrë e vetme sipas tyre, për të përshpejtuar fitoren.
Po ashtu, ligjvënësit kanë inkurajuar Qeverinë për masat e reciprocitetit me Serbinë, ndërkaq kanë ftuar popullin e Kosovës që t’i bojkotojë të gjitha produktet serbe.
Thaçi garanton kthimin e rendit në veri, me çdo çmim
Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territorial të Republikës së Kosovës është detyrë parësore dhe për këto parime nuk do të ketë kompromis, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
"Nuk do bëjmë asnjë hap mbrapa. Masat e reciprocitetit me Serbinë do të instalohen dhe zbatohen në gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Dua t’ju siguroj që nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim", thënë Thaçi.
Fjala e plotë e kryeministrit Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës:
Me lejoni të iu informoj juve dhe qytetarët lidhur me zhvillimit e fundit në veriun e Kosovës.
Siç jeni në dijeni, Qeveria e Republikës së Kosovës javën e kaluar marrë vendim për aplikimin e masave të reciprocitetit për mallrat që janë importuar nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.
Natyrisht, ky vendim ka filluar të zbatohet në të gjitha pikat kufitare menjehrë, në përjashtim të pikës 1 dhe 31 në veri të vendit ku policët kufitar të nacionaliteti serb së bashku policët e EULEX kanë refuzuar të zbatojnë vendimin për ndalimin e mallrave që vinë nga Serbia.
Për rrjedhojë, unë si kryeministër kam autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vendosjen e sundimit të ligjit dhe zbatimin e vendimit për reciprocitet në pikën 1 dhe 31.
Policia e Kosovës ka filluar operacionin dhe pas përfundimit me sukses të operacionit të njësive speciale në veri të vendit, ato janë tërhequr dhe policia kufitare dhe doganieret janë vendosur në pikën 1 dhe 31 për të kryer punën e tyre.
Fatkeqësisht, dje në orët e pasdites, një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar fillimisht pikën 1, e më pas atë 31.
Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga forcat e KFOR-it dhe ato të policisë së Kosovës.
Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequra nga strukturat me të larta politike të qeverisë së Serbisë.
Kjo është vërtetë për të ardhur keq.
Në ndërkohë, forcat e KFOR-it dhe policia e Kosovës kanë mbajtur kontrollin në pikën 31, ndërsa pika 1 është rimarr3 nga forcat e KFOR-it dhe aktualisht është mbyllur për qarkullim.
Qeveria e Republikës së Kosovës, do të ndërmarrë veprime të menjëhereshme qysh sot për të riparuar logjistikën e dëmtuar në pikën 1, me qëllim që aty të dërgohen përsëri oficerët e policisë kufitare të Kosovës së bashku me doganierët.
Në pikën kufitare 31, policia kufitare e Kosovës së bashku me doganierët tanë, janë duke kryer punën e tyre ndërsa KFOR është duke ofruar siguri.
Më lejoni të përsëris edhe një herë, se ne nuk do bëjmë asnjë hap mbrapa.
Masat e reciprocitetit me Serbinë do të instalohen dhe zbatohen në gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj.
Aktualisht kemi vështirësi dhe ballafaqime, por nuk do të tërhiqemi në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, kjo është toka jonë, është vendi ynë, është e drejta jonë kushtetuese dhe ligjore.
Dua t’ju siguroj që nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim.
Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territorial të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore.
Për këto parime nuk do të ketë kompromis.
Është e qartë që turmat e dhunshme kriminale, të motivuara dhe financuara nga autoritetet e Beogradit po synojnë që ta sfidojnë integritetin tonë dhe pushtojnë një pjesë të territorit të Kosovës.
Kjo dëshirë e tyre e përjetshme e trashëguar nga politika gjenocidiale e Millosheviqit, në asnjë rrethanë nuk do të ketë sukses.
Është e destinuar të dështojë, sepse në shekullin 21, përpjekjet për pushtim të territoreve përmes dhunës janë të papranueshme nga bota demokratike.
Me veprimet e fundit të dhunshme të Serbisë edhe një herë është demaskuar publikisht politika e Beogradit ndaj Kosovës.
Po ne nuk do të biem në grackën e tyre.
Unë ftoj qytetarët që ta ruajnë qetësinë, dhe të ken besim tekë ne.
Të besoni në institucionet e Shtetit të Kosovës dhe në KFOR-in-m NATO-n.
Ju garantoj që do ta kthejmë rendin dhe ligjin në veri të vendin me çdo çmim.
Kuvendi mban seancë për veriun
Ligjvënësit e Kosovës janë pajtuar njëzëri që Kuvendi në seancën e sotme të devijojë nga rendi i ditës dhe ta fus si çështje urgjente debatin për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës. Kjo kërkesë është shtruar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë se kjo është bërë në harmonizim të plotë me të gjithë shefat e grupeve parlamentare.
Grabovci ka thënë se shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që pas një debati për këtë çështje të nxirret një rezolutë në mbështetje të vendimeve të Qeverisë ës Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Vlerësojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kuvendit dhe i falënderoj të gjithë deputetët, të gjitha grupet parlamentare që kemi qenë të njëzëshëm, të një mendimi në këtë pikë”, ka thënë Grabovci.
Shefat e grupeve parlamentare i kanë dhënë mbështetje kërkesës, megjithëse ka pasur një paqartësi nëse duhet të ketë seancë të jashtëzakonshme, apo vetëm të futet si pikë e rendit të ditës debati për veriun.
Ismet Beqiri nga LDK-ja ka thënë se nuk ka nevojë për seancë të jashtëzakonshme, por vetëm për mocion që çështja e veriut të futet në rend dite, ndërkaq Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kuvendi nuk bën të sillet sikur gjendja në Kosovë është normale, por duhet të debatohet për situatën e krijuar në veri të vendit.
Seanca vendosi që fillimisht të jetë një seancë për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës dhe pas kësaj të vazhdojë me seancën e rregullt me shqyrtimin e projektligjeve, raporton KosovaPress.