Asnjë mall serb nuk po hyn në Kosovë

Zyrtarë të Doganave të Kosovës konfirmojnë se që nga marrja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprociteti ndaj Serbisë, asnjë nga produktet serbe nuk janë lejuar të futen në Kosovë. Sipas tyre, mallrat serbe nuk janë duke u futur në Kosovë as nga pikat kufitare në veri.
Të dhënat e doganave të Kosovës tregojnë se që nga vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, produktet serbe nuk kanë mundur të futen në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci thotë se parimi i reciprocitetit është duke u zbatuar.
“Ne momentin kur Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr vendim për parimin e reciprocitetit, në Kosovë nuk ka pasur asnjë import të mallrave me origjinë serbe”, thekson Stavilevci.
Qeveria e Kosovës kishte konfirmuar se ndalimi i importit të mallrave serbe në Kosovë, do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës.
Por, për të zbatuar ketë vendim Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion ditë më parë për futjen nën kontroll të pikës kufitare 1 dhe 31 që gjenden në pjesën veriore të Kosovës.
Lidhur me këtë, zyrtarë të doganave thonë se produktet serbe nuk janë duke u lejuar të hynë as nga pikat kufitare në veri të vendit.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavilevci shprehet:
“Nuk është e vërtet as një mall i Serbisë nuk ka hyrë në Kosovë, që nga data kur është marrë vendimi për reciprocitet”.
Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, shprehen se vendimi i qeverisë për ndalimin e futjes se mallrave të Serbisë në tregun kosovar, duhet të zbatohet në tërësi.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se nuk kanë ndonjë informatë se mallrat serbe po futen në Kosovë.
“Ne si Odë Ekonomike Amerikane deri më tani nuk kemi ndonjë informacion për futjen e mallrave në mënyrë ilegale apo kontrabandë. Kjo sasi e mallrave që është në treg për momentin sigurisht është një pjesë e mallit që është depozituar në stoqe nga ana e tregtarëve të ndryshëm dhe mendoj që ata kanë qenë të përgatitur për një periudhë të kohës”, thekson Musa.
Kompanitë kosovare, ndërkaq, janë duke shikuar alternativa tjera për zëvendësimin e produkteve serbe.
Ky zëvendësim i mallrave serbe me mallra tjera, sipas Lekë Musës, do të mund të bëhet brenda dy javëve dhe pas kësaj kohë, siç thekson Musa, nuk do të ketë mungesë të ndonjë produkti.
Ai konsideron se tani prodhimet serbe duhet të zëvendësohen me ato vendore.
“Efekti më pozitiv i mundshëm që do te jetë për ekonominë e Kosovës është se tani është një mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit vendor, pasi që kemi të bëjmë me një hapësirë prej 400 milion euro mund të zëvendësohen nga prodhimet vendore”, thotë ai. /rel/
KFOR mbyll vendkalimin në Jarinje
KFOR-i ka marrë përgjegjësinë e komandimit në kalimin kufitar të pikës doganore të Jarinjes dhe në Bërnjak.
KFOR-i ka njoftuar, nëpërmes një komunikate shtypi, se Porta 1, e cila u dogj mbrëmë nga turmat serbe, tashmë është mbyllur. “Infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe do të mund të shembet; për arsye të sigurisë atje, është rrezik i madh për njerëz”, theksohet në komunikatë, dhe shtohet se automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre.
Megjithatë, siç njofton KFOR-i, makinat private do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë dhe gjëra tjera të ndaluara. Ndërkaq, siç thuhet në komunikatë, kamionët nuk janë të lejuar të futen.
Në Portën 31 në Bërnajk kontrollet gjithashtu janë shumë të rrepta për shkak të sigurisë.
“KFOR-i vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun në mënyrë që të mbajë një Ambient të Qetë dhe të Sigurt dhe Lirinë e Lëvizjes. Posaçërisht, duhet të respektohet rreptësisht liria e lëvizjes nga ana e të gjithë civilëve në Kosovë, veçanërisht në veri”.
KFOR-i zotohet se do të hetohen krimet, dhuna, djegjet dhe të shtënat që ndodhën ditën e djeshme.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, me mbështetje të plotë të autoriteteve të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare, thotë se “do të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar që të mbajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, posaçërisht në veri”.
Buhler ka shprehur vlerësimin e tij personal për të gjithë ushtarët e KFOR-it të cilët e kanë kryer mirë detyrën. Ai ka theksuar gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimit.
“Ushtarët e KFOR-it janë shumë të motivuar dhe të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre”.
Buhler falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të të gjitha regjioneve. Shumica e qytetarëve në secilin regjion të Kosovës kanë qenë të qetë, paqësorë dhe të disiplinuar.
“Jam shumë krenar me popullin e Kosovës sepse nuk është përfshirë në dhunë dhe agresion”, thueht në komunikatën shpërndare medieve.