E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon të ndihmohet familja e policit Zymberi

Nga Express më 28 korrik 2011 në ora 15:51

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) dhe Komuna e Vushtrrisë kanë ndihmuar familjen e Enver Zymberit, policit të vrarë në krye të detyrës, gjatë aksionit në veri të vendit, me 10 mijë euro.

Jahir Morina, përfaqësues i AKB-së, tha se fondi prej 5 000 € i ndahet familjes së heroit të kombit, Enver Zymberi, për hir të mbrojtjes së Kushtetutës së Kosovës dhe kufijve të Kosovës.

Konferenca jashtëzakonshme të enjten e AKB-së ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të policit Zymberi, i cili ra në krye të detyrës derisa policia e Kosovës po vinte kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se bazuar në pamjet e mbrëmshme të djegies së pikave kufitare në veri të vendit, institucionet ndërkombëtare kanë dështuar totalisht në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.

Ai kërkoi nga forcat e KFOR-it që t’i mbrojë kufijtë e Kosovës, ndërsa nga EULEX-i kërkoi që nga sot të largohet plotësisht nga vendi, ngase sipas tij që nga dita e pardjeshme ky mision ka dështuar totalisht.

Gjithashtu, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë të enjten në mbledhjen e rregullt, njëzëri vendosi të ndajë 5 mijë euro si ndihmë e shpejtë për familjen e heroit më të ri në Kosovë, nga Dubovci i Vushtrrisë.

Pavarësisht ndihmave qoftë nga niveli qendror apo ai lokal, Sabit Kadriu anëtar i Kuvendit ka kërkuar që rasti i heroit Zymberi por edhe gjithë heronjve tjerë të rënë në detyrë të rregullohet me ligj në mënyrë që familjeve të tyre t’iu sigurohet një jetë e dinjitetshme e jo që të varën nga ndihmat momentale.

Krahas kësaj, kryetari i komunës Bajram Mulaku i ka njoftuar anëtarët e Kuvendit se në kuadër të kompetencave të mërkurën në ditën e varrimit ka ndihmuar me 700 Euro familjen Zymberi.

Dje, Qeveria e Kosovës i ndau familjes Zymberi 25 mijë euro, kurse Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ndau 10 mijë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›