E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton Bujar Leskajn në krye të KLSH-së

16/12/2011  Vijon bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet me 3/5-at

Debate mes mazhorancës dhe opozitës për privatizimin e kompanisë “Albpetrol”

Me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi miratoi pasditen e djeshme Bujar Leskajn në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në votimin e dekretit të Presidentit Topi pati rrjedhje të votave nga ana e mazhorancës, ku 3 deputetë të Partisë Demokratike: Viktor Gumi, Ilir Rusmaili dhe Fatos Hoxha e abstenuan propozimin e kreut të shtetit. Ndërsa opozita, ashtu siç dhe ishte lajmëruar nga kreu i saj Edi Rama, u shpreh kundër kësaj kandidature. Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i KLSH-së u bë nga kreu i shtetit më 17 nëntor, pas rrëzimit të Sali Shehut, i dekretuar më parë si kandidat për këtë post. Sipas ligjit “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, kryetari i këtij institucioni ka një mandat shtatëvjeçar, me të drejtë rikandidimi. Leskaj vjen në këtë post pas mbarimit të mandatit të Robert Çekut, që drejtoi këtë institucion nga viti 2004 deri më 28 tetor të këtij viti. Bujar Leskaj gëzon gradën shkencore Doktor i Shkencave Ekonomike. Dy ditë më parë, në prezantimin e programit të tij për KLSH-në para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, Bujar Leskaj theksoi se një prej çështjeve kryesore është reformimi i këtij institucioni. Ai gjithashtu nënvizoi se do të kërkojë heqjen e imunitetit për kreun e KLSH-së, ndërsa theksoi se auditi është sfida për këtë institucion.

Konsensusi për ligjet me 3/5-at

Edhe pse votuan kundër disa projektligjeve të qeverisë (shitjes së kompanisë “Albpetrol”, ligjin për Noterisë dhe ligjin për Arsimin e Lartë), deputetët e opozitës bashkuan sërish votat me kolegët e mazhorancës, ku me konsensus u votua projektligji për mbikëqyrjen dhe tregtimin e produkteve joushqimore. Ligji ka si objekt vendosjen e kushteve të përgjithshme për tregtimin e produkteve për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave të ekuilibruara, si dhe garantimin e mbrojtjes së shëndetit, sigurinë e konsumatorëve dhe interesave të tjera publike. Me 112 vota pro dhe 18 kundër Adrian Civici u miratua si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, Kuvendi gjatë seancës së djeshme votoi me konsensus edhe disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”.

Debati për “Albpetrolin”

Kuvendi i Shqipërisë pas 4 orë debatesh miratoi pasditen e djeshme me 72 vota pro dhe 62 kundër ligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos.

Mimi Kodheli - Prona publike është po aq e shtrenjtë sa dhe prona private. Ndaj ne kërkojmë që dhe për “Albpetrolin” të dimë më shumë rreth këtij privatizimi.

Arben Ahmetaj - Formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive. Nuk duam që “Albpetroli” të privatizohet 100%, pasi nuk është koha e duhur. Investitorët strategjikë provohen gradualisht, sepse bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë.

Arben Malaj - Ne jemi kundër privatizimit të kësaj pasurie kombëtare. Në këtë marrëveshje nuk bëhet e qartë sa është vlera e përfitimit të shtetit me këtë privatizim.

Nasip Naço - Nuk shiten pasuritë kombëtare, por vetëm asetet e shfrytëzimit. Ky privatizim mund të sjellë dhe probleme sociale, pasi mund të dalin nga puna shumë punëtorë të kësaj kompanie. Por këta punëtorë janë të sigurt, pasi ata do të paguhen për 1 vit.

Ilir Bejtja - Kjo histori duhet të marrë fund, ku qeveria sa herë ndihet keq shet pronat publike për të zgjidhur problemet e saj financiare. Kjo histori është e thjeshtë: “Të marrim një lopë sa më të madhe nga nusja që do shesim”.

Florion Mima - “Albpetroli” ka vepruar në emër dhe për llogari të shtetit, në të gjitha marrëveshjet hidrokarbure, si agjent i shtetit. Por të gjitha të drejtat pronësore mbi lëngun, mbi gazin janë të gjitha të popullit shqiptar dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla. Çdo gjë tjetër është një spekulim i qartë.

Taulant Balla - Duhet të vijë kryeministri këtu për të dhënë hesape në lidhje me këtë privatizim. Sali Berisha po sillet si pushtues. Të ishte pa qejf, do e kuptonim mungesën e tij sot. Por ai nuk ka qejf të vijë këtu. Si ka mundësi që sot, kur diskutohet për shitjen e “Albpetrolit” Prokuroria e Përgjithshme mbyll një tjetër çështje tejet skandaloze që ka lidhje po me naftën, atë për kompaninë “Vigjin”?

Naço për “Albpetrolin”

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço mbrojti propozimin e qeverisë për privatizimin 100 për qind të kompanisë shtetërore të naftës, si formula më efektive dhe për të siguruar që në fillimin e tij një sasi të konsiderueshme të ardhurash për buxhetin e shtetit. “Ky privatizim bën të mundur që për shtetin shqiptar të sigurohet një sasi e konsiderueshme e vlerave monetare që në fillim të këtij operacioni, ndërmjet shitjes së aseteve që administron ‘Albpetroli’”, - tha Naço.

Ligji për Noterinë

Prej marsit të vitit 2012 qytetarët nuk do të harxhojnë më kohë për kryerjen e një transaksioni për pasuritë e paluajtshme. Kuvendi miratoi dje me votat e mazhorancës disa ndryshime në ligjin për Noterinë. Duke folur për këtë ligj, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi theksoi: “Çdo qytetar për të blerë apo shitur një pronë nuk duhet të paraqite më pranë zyrave të pasurive të paluajtshme, por do t’i kryejnë veprimet pranë një zyre noteri, duke shmangur korrupsionin në zyrat e regjistrimit të pasurive”.

Komisioni për 21 janarin

Në seancën e djeshme deputetët e mazhorancës (72 vota pro dhe 60 kundër) miratuan shtyrjen e afatit të punës së komisionit hetimor “Për 21 janarin 2011”. Tashmë deputetët e mazhorancës do të kenë ende kohë deri në fund të vitit të ardhshëm që të dalin me një përfundim lidhur me ngjarjet e 21 janarit të këtij viti, ku në çdo rast raporti përfundimtar do të dalë i njëanshëm, pasi opozita nuk ka pranuar që të jetë pjesë e këtij komisioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›