Nënkryetari i bashkisë, Simo: Prefekti s'ka të drejtë të kthejë projektbuxhetin
Zv/kryetari i Këshillit të Tiranës, Petraq Simo e ka konsideruar si të padrejtë dhe jo legjitime kthimin mbrapsht të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, nga prefekti. Në një deklaratë për shtyp, Simo bën të ditur se tashmë drafti për buxhetin është miratuar me shumicë votash, dhe se e drejta e vetme e prefektit të Tiranës, është vetëm të ankimojë në gjykatë, për të paraqitur vërejtjet që ka për projektbuxhetin.
"Refuzimi i prefektit është në vazhdim të lojës së tyre dhe për mua kjo quhet fazë e mbyllur. Sepse me votat e shumicës dhe në baze të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligji na jep të drejte këshillit të bashkisë dhe ai ka hyrë në fuqi sipas procedurës ligjore dhjetë ditë pas miratimit të tij. Prefekti nuk ka të drejte të pezullojë vendimin e këshillit të bashkisë, pra, projektbuxhetin e bashkisë së Tiranës, ai ka të drejtë të bëjë ankesë në gjykatë", deklaroi nënkryetari i këshillit bashkiak, Petraq Simo. Nënkryetari i këshillit shtoi se është e drejta e këshillit bashkiak për të shqyrtuar sërish vendimet e marra. "Këshilli e ka kompetencë të bëjë amendime, rishqyrtim të vendimeve të cilat ka marrë", vijoi Simo. Disa ditë më parë prefekti i Tiranës Rruzhdi Keci, ktheu mbrapsht duke mos e firmosur draftin e buxhetit të bashkisë, për vitin 2009.