Kuvendi miraton me 72 vota “pro” projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar

Mazhoranca: Shqipëria i vetmi vend në Europë që nuk ka një parlament të standardeve bashkëkohore
Kuvendi miratoi sot me 72 vota “pro” projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Projektligji me 9 nene, i cili i ka kaluar në pronësi Piramidën Kuvendit, për ndërtimin aty të parlamentit bashkëkohor. Deputetët demokratë debatuan në seancë lidhur me projektligjin që vetëm dy ditë më parë u miratua në komisionin e ligjeve, ndërsa shprehën me forcën e kartonit si të domosdoshme ndërtimin e një Parlamenti të ri dhe brenda standardeve bashkëkohore për vend që aspiron të integrohet në bashkimin Evropian. Kostoja e Parlamentit të ri do të vendoset nga tenderi i hapur, ku kompania që do të ofrojë më pak (sipas rregullave të tenderimit), do të përfitojë të drejtën e ndërtimit të kompleksit parlamentar.
Projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës vazhdojnë bojkotin e Kuvendit, që prej zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Gjithashtu, me 72 vota “pro” të shumicës parlamentare, Kuvendi ka miratuar pr/ligjin për blerjen e 3 helikopterëve të specializuar, për personalitetet e vendit.
Deputetët e mazhorancës kanë miratuar me 72 vota pro, pr/ligjin për sigurimet shoqërore, pr/ligjin për mbrojtjen e konsumatorit si dhe pr/ligjin për lejet e mjedisit.
Kompleksi Parlamentar
Në vijim të diskutimeve në seancë plenare, relatori i këtij projektligji, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj informoi se ky pr/ligj i nënshkruar në Kuvend ka kaluar të gjitha procedurat dhe filtrat financiarë dhe marrjes së mendimit nga Këshilli i Ministrave, ashtu sikurse e parashikon dhe Kushtetua. Sipas Alibejt, ky kompleks do të ndërtohet me paratë publike, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik. “Vendi ynë, është i vetmi shtet në këtë rajon që nuk ka një Kuvend, e ka të ndarë atë në dy ndërtesa. E paparë në ndonjë histori arkitekturore. Kjo është arsyeja pse do të duhet të ndërtojmë Kuvendin, i cili do të jetë i shqiptarëve, ku do të mbizotërojë psikoza e demokracisë së këtij shteti”- u shpreh demokrati Alibeaj. Në këtë drejtim ai shtoi se arsyet e vërteta janë të pastra ideologjike, dhe se mbështetësit e ndërtimit të Kompleksit të ri parlamentar janë ata që duan të japin leksion të mirë për të mos qëndruar emblema, që mban brenda fantazmën e diktatorit. Para dy ditësh, ky projektligj i propozuar nga 38 deputetë të PD-së, ka marrë votat e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Me miratimin e këtij projektligji, hapet rruga e procedurave të mëtejshme për Kompleksin e ri parlamentar. Në nismën me pak nene përcaktohet se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë enti prokurues i firmës fituese të punimeve në vendin ku ndodhet sot piramida, ndërsa Këshilli i Ministrave do të merret me hapat e tjerë në mënyrë që ky projekt të përfundojë për 100-vjetorin e pavarësisë.
Imami: Blerja e helikopterit, me çmim të arsyeshëm
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka sqaruar sot blerjen e helikopterit për personalitetet e larta të vendit. Ministri theksoi se nga ana e ministrisë po bëhet një kontratë e re, që lidhet me marrjen e një helikopteri në vit. “I propozuam qeverisë që kjo kontratë të shtyhej prej 5 vitesh, duke filluar nga viti 2009 deri në vitin 2014 për të bërë pagesat në mënyrë më të arsyeshme. Kontrata ka 2-3 elementë të tjerë, që janë të lidhur me ndryshime teknike, por që nuk sjell asnjë lloj ndryshimi. Meqenëse kontrata ka kaluar në parlament gjatë vitit të kaluar, çfarë do ndryshim i saj duhet të kalojë në parlament”- tha Imami. Ai informoi se kontrata për helikopterin është negociuar gjatë për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe pagesën më të përshtatshme. “Kemi arritur një çmim të leverdisshëm për blerjen e këtij helikopteri, që do të vijë në vitin e ardhshëm. Shqipëria do të ketë një flotë modeste të helikopterëve të saj, por që do të jetë në gjendje të përballojë nevojat e vendit”- u shpreh ministri Imami, gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Para dy ditësh, Komisioni i Sigurisë miratoi blerjen e një helikopteri për personalitetet. Ky miratim i hap dritë jeshile Parlamentit, për t`i dhënë “OK” përfundimtare për marrjen e mjetit luksoz të transportit ajror. Komisioni i Sigurisë ka miratuar vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës blerjen e këtij helikopteri prej tetë vendeve dhe që ka një kosto të lirë, sipas specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes.