Kuvendi miraton ndryshimet në p/ligjin për urbanistikën
Me konsensus të plotë janë miratuar seancën e djeshme parlamentare ndryshimet në projektligjin "Për urbanistikën". Ndryshimet e reja në ligjin "Për urbanistikën" përfshijnë disa elementë të rinj, të cilët synojnë thjeshtimin e procedurave dhe të afateve në dhënien e lejes së ndërtimit.
Ndër ndryshimet kryesore është ai i afatit të miratimit të lejes së ndërtimit. Sipas këtij p/ligji, ndërtuesit mund të aplikojnë njëkohësisht për shesh dhe leje ndërtimi dhe zyrat e urbanistikës duhet që, brenda 45 ditëve të dorëzojnë në KRRT kërkesën e paraqitur nga aplikuesit, përndryshe ajo miratohet automatikisht dhe kalon në këtë organ për shqyrtim. Kur kjo njësi, në përfundim të 35 ditëve, nuk i dërgon kërkuesit njoftimin për mospranimin e shqyrtimit të kërkesës, ose miratimit të vetë lejes së ndërtimit në KRRT, atëherë kërkesa konsiderohet e pranuar në heshtje dhe i gjithë dokumentacioni i përcillet për shqyrtim dhe miratim KRRT-së së bashkisë apo komunës. Por, në rast se në kërkesën e dorëzuar dhe miratuar në heshtje vërehen shkelje të rregullave të urbanistikës, atëherë ajo shpallet e pavlefshme. Në të kundërt, Këshilli i Rregullimit të Territorit duhet që brenda 45 ditëve të dalë me një vendim për dhënien ose jo të lejes së ndërtimit. Deputetët miratuan në unanimitet edhe projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për lejimin e përkohshëm, bërë në Stamboll, më 26 qershor 1990", ndërsa Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), për financimin e programit, Malet drejt tregut, u shty për në seancat e ardhshme.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1