Pezullohet ligji i Dosjeve nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese pezulloi dje zbatimin e ligjit të dosjeve deri në një vendim përfundimtar të saj. Burime nga kjo Gjykatë thanë se vendimi u mor dje nga Kushtetuesja pas shqyrtimit të ankimimeve për ligjin e mazhorancës Për pastërtinë e figurës së zyrtarit, të njohur ndryshe shkurt si, ligji i dosjeve apo lustracionit. Në një seancë të posaçme, Gjykata Kushtetuese votoi pezullimin e zbatimit të ligjit me shtatë vota pro dhe dy kundër.
"Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese" duke çmuar se zbatimi i ligjit objekt shqyrtimi mund te sjelle pasoja ne funksionimin normal te shtetit të së drejtës, si dhe në cenimin e te drejtave dhe lirive themelore te individit vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit te ligjit deri sa vendimi përfundimtar i gjykatës kushtetuese te hyje në fuqi.Gjithashtu ne mbledhjen e gjyqtareve u vendos ti kërkohet Komisionit të Venecias një opinion për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar", -bëri të ditur Edlira Abazi. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se sipas kërkuesve, nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm; krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar me ligj të zakonshëm; cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të figurave; krijohet vakum institucional deri në bllokim të veprimtarisë kushtetuese të organit shtetëror; përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues. Gjykata Kushtetuese kishte nisur shqyrtimin e kërkesave për pezullimin e ligjit bërë nga PS, që pretendon se 28 nene të tij janë antikushtetuese. Kjo do të thotë që ligji i shumëpërfolur i lustracionit i shoqëruar me kritika të shumta nga ndërkombëtaret dhe opozita nuk do të zbatohet deri në shprehjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i djeshëm i Kushtetueses do të thotë dhe pezullim të procedurave parlamentare për ngritjen e Komisionit Parlamentar të Vlerësimit të Figurave, i parashikuar në axhendën e djeshme. Kushtetuesja kërkoi që ligji të merret në shqyrtim edhe nga Komisioni i Venecias, siç kërkoi Këshilli i Evropës para pak ditësh. Pranë Gjykatës Kushtetuese ka tre ankimime kundër ligjit të lustracionit, nga PS, Këshilli Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve. PS kërkon që të paktën 28 nene nga ky ligj të shpallen si antikushtetuese. Ligji i dosjeve i miratuar në dhjetor vetëm me votat e mazhorancës është kthyer në temën më të nxehtë të politikës së këtyre ditëve. Opozita që e konsideron një ligj të egër dhe joevropian, ka sugjeruar një variant të saj për ligjin në fjalë. Opozita ka akuzuar qeverinë se me ligjin e dosjeve synon të godasë prokurorinë dhe gjykatat. Ndërkaq mazhoranca pretendon se ligji përmbush gjithë parametrat dhe është sipas variantit çek. Por, Çekia, shteti që mban këtë vit presidencën e radhës së Bashkimit Europian ka shprehur rezervat e veta sa i përket ligjit. BE në njoftime zyrtare i ka bërë thirrje qeverisë të rishikojë ligjin e domosdoshëm për një shtet që ka vuajtur diktaturën për vite me radhë. Sipas BE-së ligji duhet rishikuar në strukturë dhe përmbajtje pasi cenon liritë dhe të drejtat e njeriut. Edhe OSBE dhe Këshilli Europian janë shprehur rreth ligjit. KE nga ana e tij dërgoi dy raportues që për dy ditë bënë takime në Tiranë për tu informuar më shumë rreth ligjit. Në përfundim të takimeve ata u shprehën të habitur nga qëndrimi i palëkundur i qeverisë shqiptare për ligjin. Në përgjigje të tyre kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli tha se ligji do të zbatohet dhe se qeveria nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj. Topalli përgatiti dhe një letër në emër të Kuvendit drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kryeparlamentarja i kërkoi Gjykatës të mos e pezullojë ligjin dhe mbi të gjitha në shqyrtimin e animimeve ndaj tij të mos marrin pjesë gjyqtarë që kanë konflikt interesi. Ndërkaq një hap tjetër për ligjin e dosjeve është edhe Komisioni i Venecias. Ekspertet e KE-se kërkuan që Komisioni i Venecias të marrë në shqyrtim ligjin pas shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese
Email This Klikime: 5
Email This Klikime: 5