E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, në pritje të "fjalës" së Presidentit

Qeveria e re do të ndërtohet pas mbledhjes së parë të Parlamentit, e cila pritet të zhvillohet të hënën e 7 shtatorit. Duke interpretuar nenin 67 të Kushtetutës citojmë se "Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se dhjetë ditë pas mbarimit të këtij mandati". Pika 2 e këtij neni parashikon edhe heshtjen presidenciale për këtë çështje. Në rast se kreu i shtetit nuk e ushtron këtë kompetencë, atëherë Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën e parë të këtij neni.

Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.

Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i cili, në rastin konkret, është Kryeministri 64-vjeçar, Sali Berisha. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat dhe bëhet betimi i deputetëve të rinj.

Neni 67

Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se dhjetë ditë pas mbarimit të këtij mandati

Kushtetuta

Neni 65

1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.

Neni 66

Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.

Neni 67

1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se dhjetë ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se dhjetë ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›