E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, këtë javë takimi Berisha-Meta

Kryeministri Sali Berisha do të shfrytëzojë limitin e afateve kushtetuese për të zbuluar se cilët do të jenë tre portofolat ministrorë në qeverinë e re për LSI-në. Kontrata bashkëqeverisëse mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet të nënshkruhet gjatë kësaj jave. Takimi zyrtar mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, pritet të jetë mes datës 2 dhe 4 shtator. Kreu i shumicës do të shfrytëzojë limitin maksimal kushtetues për të kryer takimin publik me Ilir Metën, ku do të zbulohen edhe emrat e ministrive që do të lihen në dispozicion të LSI. Zyrtarë të PD-së dhe LSI-së e paralajmëruan takimin Berisha-Meta më 20 gusht, por kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së, si dhe frika se mos në PD plas epidemia e pakënaqësisë detyroi kryetarin e shumicës të mbajë nën kontroll qeverinë aktuale dhe të nënshkruajë publikisht kontratën e re me Lëvizjen Socialiste për Integrim në limitin e fundit të afatit kushtetues. Në këtë mënyrë, demokratët të cilët do të ngelen të pakënaqur nga tre postet ministrore që Berisha i ka lënë partisë që ka në Kuvend vetëm katër deputetë, të cilët janë përcaktues për ndërtimin e qeverisë së re, nuk do të mund të kenë kohë të mjaftueshme për të kundërshtar publikisht. Dy kryetarët, ai i PD-së dhe ai i LSI-së pritën ngjarjet e kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së dhe tashmë që telenovela e PS-së mori zgjidhje, i ka ngelur radha telenovelës tjetër për qeverinë e re. Kryeministri Berisha ka paralajmëruar se qeveria e tij e ardhshme nuk do të ketë shtim kabinetesh dhe se dieta e mandatit të parë qeverisës do të vazhdojë edhe në atë të dytin. Parlamenti i ardhshëm pritet të mblidhet në datën 7 shtator, nëse merr "OK" nga kreu i shtetit për këtë datë. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se dhjetë ditë pas mbarimit të këtij mandati. Në këtë mënyrë, seanca e parë e Kuvendit do të mblidhet brenda datës 13 shtator.

Kryeministri Berisha, për të sfumuar pakënaqësitë brenda kampit demokrat, do të zbulojë emrat zyrtarë të 14 ministrave të rinj pas mbledhjes së parë të Parlamentit. Tre prej anëtarëve do të përfaqësojnë në qeveri logon e LSI-së dhe të tjerët do të ndahen mes demokratëve, por edhe aleatëve të tjerë të vegjël. Kryetarët e forcave politike të vogla të djathta, të cilët nuk kanë mundur të përfaqësohen në kabinet, pritet t‘u ofrohen poste zëvendësministrash.

Prioritetet e aleatit të ri të majtë në kabinetin "Berisha"

Kërkesat e LSI-së për qeverinë e re

Prioritetet e LSI-së për kabinetin e ri qeveritar janë ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe përkujdesja sociale. Kreu i LSI-së pritet të përfaqësohet në qeveri, duke mbajtur një post ministror dhe atë të zëvendëskryeministrit. Për sa i takon negociatave për ndërtimin e qeverisë së re, kampi i LSI-së paralajmëron se gjatë kësaj jave do të shënohet edhe takimi final ku do të zbulohen portofolat që Berisha dhe Meta kanë rëndë dakord për qeverinë e re. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duket se janë dy dikasteret që LSI tashmë i ka të sigurta për të drejtuar. Burimet brenda këtij kampi lakojnë emrin e Ministrisë së Jashtme, por edhe atë të Ministrisë së Brendshme, drejtimin e të cilave, Kryeministri do ta besojë në dorë të aleatit më të ri.

Bashkëpunimi PD-LSI do të ketë edhe faturën ekonomike përpos ndarjes së karrigeve ministrore. Në pragkrijimin e kësaj qeverie të re nuk do të diskutohen vetëm portofolat ministrorë që mban partia, por do të diskutohen edhe prioritetet qeverisëse dhe kontributet e përbashkëta për hartimin e buxhetit që do të mbështesë prioritetet qeverisëse. Pas ndarjes së tortës elektorale, pritet që LSI të risjellë kërkesën e radhës për rishikimin e Kodit Elektoral.

Republikanët dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim pritet të marrin "shpërblimin" e Kryeministrit Berisha për dy numrat që ofrojnë për ndërtimin e mazhorancës në Kuvend. Nëse ende nuk është skicuar posti që pritet të lihet për PDI-në, republikanët kanë nxituar për të kërkuar një portofol ministrie. Deri tani, Berisha mësohet se ka lënë për republikanët Ministrinë e Mjedisit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›