Topi gjyqtarëve: Shmangni ndërhyrjet e politikanëve
Kreshnik Spahiu kërkoi dje që gjykatat të mos zbatojnë standarde të dyfishta ndaj të akuzuarve dhe të mos zvarrisin proceset
Presidenti i Republikës gjatë mbledhjes së KLD-së iu kërkoi përfaqësuesve të gjyqësorit të mos ndikohen nga pushtetarët
TIRANË- Me tone të ashpra dhe "kërcënuese", Presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu drejtua dje nga mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, atyre gjyqtarëve që në vend që të japin drejtësi, influencohen në mënyra të ndryshme duke deformuar proceset gjyqësore në emër të "pushtetarëve".
Presidenti Topi, i bëri thirrje kësaj klase gjyqtarësh e prokurorësh të mos ndikohen nga individë të ndryshëm që duke përdorur emra të personave me pushtet politik apo të vetë Presidentit, kërkojnë vendime apo gjykime në favor pa e merituar.
"Si President i Republikës, si Kryetar i KLD-së, natyrisht që kam shumë kontakte me qytetarët ku ankohen për ndërhyrje, për deformime në ndonjë rast edhe të proceseve në favor të X apo Y.
Po bëj një thirrje që nëpërmjet jush, t'u adresohet të gjithë punonjësve që punojnë qoftë në sistemin e prokurorisë, qoftë në sistemin e gjykatave që të hedhin poshtë çdo lloj tentative për influenca, ku disa persona marrin dhe rolin e sekserëve duke përdorur dhe emra individësh që mund të jenë në pushtet. Ju bëj thirrje që të mos operoni në mënyrë informale.
Kjo thirrje vjen sot duke iu referuar në radhë të parë të gjithë atyre personave që mund të përdorin emrin e Presidentit të Republikës apo çdo personi tjetër",-tha Topi, duke bërë publik përdorimin edhe të emrit të tij nga persona të ndryshëm para gjyqtarëve.
"Keni një përgjegjësi ligjore, institucionale dhe qytetare dhe denonconi çdo rast ndërhyrjeje.
Nuk mund të ketë barazi para ligjit, në rast se tentohet nga hallka intermediare, nga hallka të cilat kërkojnë të deformojnë vullnetin e trupës gjykuese, në rast se juve vetë nuk i bëni prezent dhe nuk i denonconi në rrugë zyrtare.
Vetëm në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur pastrimin e ambienteve nga njerëz që kërkojnë të përfitojnë nëpërmjet paraqitjes formale si njerëz që rrinë afër X apo Y për të deformuar vullnetin e jurisë gjyqësore"-tha Topi, duke i kujtuar se do të ketë ndëshkime nga KLD-ja për të gjithë këtë strukturë të manipulueshme.
Ndërkohë, në fjalën e tij zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, vuri në dukje problemin shqetësues të zvarritjeve të proceseve gjyqësore dhe gjykimit të çështjeve penale me akuza të rënda me dy standarde.
"Kohëzgjatja e procesit gjyqësor, e cila shpesh shkon deri në mbarimin e afateve të paraburgimit, sjell që shumë subjekte që akuzohen për krime të rënda penale të rrezikojnë të dalin jashtë, pikërisht për shkak të zgjatjes së gjykimit",- theksoi ndër të tjera nënkryetari i KLD-së, Spahiu. Ai apeloi se imazhi i gjyqësorit po cenohet dhe ndodhet në udhëkryq, sipas tij, pasi gjyqtarët e gjykatave të ndryshme po shkatërrojnë punën e policisë dhe prokurorisë.
Propozimi
Neshat Fana: Gjyqet të bëhen ditë pas dite
Ndërkaq, duke iu referuar disa proceseve penale që vazhdojnë të mos zhvillohen pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda anëtari i këtij këshilli, Neshat Fana, propozoi para KLD-së që proceset gjyqësore të mos shtyhen por të vazhdojnë në një maratonë disa ditore, deri në përfundim, praktik kjo e zbatuar në drejtësinë amerikane.
"Prej vitesh të tëra, gjykatat shqiptare kanë hequr dorë nga një parim i detyrueshëm i gjykimit të pandërprerë",-theksoi Fana, duke kërkuar që të përpilohet një rregullore, që proceset gjyqësore të vazhdojnë pa ndërprerje, që të mos sjellin arsye për zvarritjen e fazës gjykuese.
Në lidhje me këtë propozim, Presidenti Topi u shpreh se "kjo dukuri cenon rëndë parimin e gjykimit në vazhdim dhe gjykimit të pandërprerë". Ky problem, u evidentua meqenëse duke i referuar disa rasteve të sensibilizuar në media për zvarritjen e tyre, anëtarët e KLD-së, konkluduan se duhet kryer një inspektim i posaçëm, për të evidentuar parregullsitë në proceset ligjore në ato çështje gjyqësore penale, ku akuza lidhet me vepra penale me kriminalitet të lartë.
"Rëndësia e një inspektimi të mundshëm u diskutua në prizmin e bashkëpunimit midis Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, referuar veçanërisht disa proceseve penale, kohëzgjatja e të cilave rrezikon afatet e paraburgimit, si dhe trajtimit të diferencuar të rasteve analoge nga gjykatat",-thuhet nga burimet zyrtare pranë këshillit.
Presidenti:
Bashkëpunim politik për reformat në Drejtësi
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu kërkoi partive politike që të bashkëpunojnë për të kryer reformat në drejtësi të kërkuar në formë kushti nga Bashkimi Evropian. "Gjyqësori ka nevojë të rrisë performancën e vet mbi bazën e vazhdimit të reformave të domosdoshme për gjyqësorin. Kam rastin të riapeloj për nevojën e domosdoshme të bashkëpunimit politik për vazhdimin e reformave në gjyqësor.
Jam shprehur edhe përpara se të fillojë fushata elektorale për nevojën e prononcimit të partive politike për detyrimin qytetar mbi vazhdimin e reformave në gjyqësor, pasi sikurse dihet, reformat në gjyqësor nuk realizohen përgjithësisht me maxhoranca të thjeshta, por realizohen mbi bazën e një kohezioni më të gjerë politik, mbi bazën e votimeve të cilësuar, që kërkojnë domosdoshmërisht një numër të caktuar të deputetëve në parlament",-nënvizoi presidenti Topi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mori pjesë edhe Ministri i ri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili në fjalën e tij kërkoi konsolidim të bashkëpunimit mes dy institucioneve mbi kontrollet e punës së gjyqtarëve.
Shpallen vendet vakante në Gjykatat e vendit
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e djeshme, vendosi shpalljen e 13 vendeve vakante për në Gjykatën e Apelit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.
"KLD-ja vendosi në unanimitet të anëtarëve të pranishëm, shpalljen e tre vendeve vakante për Gjykatën e Apelit Durrës, tre vende për Gjykatën e Apelit Vlorë, si dhe shtatë vende vakante pranë Gjykatës së Apelit Tiranë",-thuhet në njoftimin zyrtar të anëtarëve të këshillit.
Sipas tyre, këto vende vakante janë hapur pas dekretit të Presidentit të Republikës Bamir Topi "Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit" në vend.
"Metodologjinë e plotësimit të vendeve vakante që do të krijohen në Gjykatat e Shkallës së Parë në bazë të efekteve të Dekretit, duke vlerësuar si në përputhje me ligjin, transferimin pa pëlqim të gjyqtarëve për efekt të nevojave të riorganizimit të sistemit gjyqësor.
Përcaktimin e kritereve për lëvizjen e gjyqtarëve me procedurën e mësipërme të transferimit duke i dhënë prioritet: rritjes së cilësisë së gjykimit dhe gjykatave, emergjencave të transferimit në disa prej gjykatave kryesore për efekt të ngarkesës së punës dhe radhës së transferimit sipas kategorive të subjekteve në sistemin gjyqësor",-thuhet në njoftimin e KLD-së, ku janë përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së këtyre gjyqtarëve për 13 vendet vakante.
Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme, Këshilli, konform kritereve dhe procedurave të parashikuara me ligj, emëroi pesë inspektorë pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.