Politikanët shqiptarë, në betimin e Obamës
Kryeqyteti amerikan do të gdhihet sot ndryshe. Qindra-mijëra njerëz nga të gjitha vendet e botës do të jenë në rrugët e Uashingtonit për të parë ceremoninë e betimit të Presidentit të parë afro-amerikan në historinë e SHBA-së dhe të 44-n në radhë. Në këtë ceremoni të rëndësishme dhe të veçantë do të jenë dhe përfaqësues nga politika shqiptare. Si përfaqësues të rangut më të lartë do të jenë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që një deputet tjetër nga e djathta është Aleksandër Biberaj i PD-së. Biberaj do të jetë si përfaqësues i Këshillit të Evropës, ndërkohë që nga e majta janë nisur drejt Uashingtonit Ilir Meta i LSI-së dhe Valentina Leksaj e PS-së. Nuk mund të mungonte në këtë ceremoni përkthyesi i librit të Barak Obamës, kreu i lëvizjes G99, Erion Veliaj. Ndërkohë Obama ka “mbërritur” në politikën shqiptare shumë shpejt. Shumë slogane kanë nisur t’i ngjajnë sloganeve të fushatës së tij, një nga të cilët më popullori ishte “Po, ne mund t’ia dalim”.
Ftesa për Topallin
Siç njofton zyra e shtypit pranë kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ajo është nisur dje drejt Uashingtonit, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Barak Obama. Ceremonia e betimit, që do të mbahet në mesditë në Capitol, pritet të ndiqet drejtpërsëdrejti prej afro 4 milionë njerëzish. Kryetarja e Kuvendit do të ndjekë ceremoninë nga tribuna qendrore e personaliteteve botërore, që janë ftuar me këtë rast. Topalli do marrë pjesë në evenimentet festive që janë organizuar me rastin e inaugurimit. Kryeparlamentarja Topalli pret që t’i urojë personalisht në emrin e shqiptarëve Presidentit të ri, suksese në punë. Ndërkohë mësohet se deputeti i PD-së, Biberaj, në pozicionin që mban si zv.president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, do të jetë sot i pranishëm në këtë ceremoni, ku do të jenë pranë tij dhe deputetë të tjerë evropianë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KE-së.
E majta
Ndërkohë drejtues të së majtës janë nisur dje për në Uashington, për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kryetarja e grupit parlamentar të selisë rozë, Valentina Leskaj, apo kreu i G99, janë disa prej përfaqësuesve të partive politike shqiptare që do të marrin pjesë në këtë ceremoni. Pjesëmarrja është me ftesë të organizatorëve dhe ketë herë kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka lënë rrugë të lirë Leskajt. Rama ka qenë i pranishëm disa muaj më parë, në ceremoninë kur Obama u zyrtarizua si kandidati demokrat për President. Në një njoftim për shtyp të LSI-së bëhet e ditur vizita e Metës në SHBA. Sipas këtij njoftimi, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është nisur drejt Uashingtonit, ku është ftuar të jetë i pranishëm në Ceremoninë e Betimit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barack Obama. Ceremonia, e cila zhvillohet sot në Uashington, ka të ftuar edhe shumë personalitete, politikanë, kryetarë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të ndryshëm të rëndësishëm, nga e gjithë bota.
Betimi
Presidenti Barack Obama do të kryejë betimin prej 36 fjalësh dhe më pas do të mbajë fjalimin e inaugurimit, duke i folur kombit amerikan dhe botës për herë të parë, si President i SHBA. Ngjarjet e inaugurimit të Presidentit Obama kanë filluar më 17 janar, me udhëtimin me tren, që u nis nga Filadelfia, për të mbërritur në Uashington. Gjatë ditës së djeshme ai nderoi kujtimin e udhëheqësit të të drejtave civile, duke marrë pjesë në një aktivitet në shërbim të komunitetit. Presidenti i zgjedhur, Obama, i cili bën betimin si presidenti i parë afrikano-amerikan, vuri në dukje se shumë njerëz do të mblidhen për të ndjekur ceremoninë e tij historike të inaugurimit, pikërisht në atë park ku në vitin 1963 njerëzit ishin mbledhur për të dëgjuar të përndershmin Martin Luther King, që fliste për barazi racore. Zoti Obama tha se është me rëndësi që të kujtohet mësimi i Dr. Kingut se “ëndrrat tona të veçanta, përbëjnë në fakt një ëndërr të vetme”.