E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kushtetuesja, objektivi i mazhorancës



Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje pas deklaratës së demokratëve në lidhje me ligjin e dosjeve dhe mundësisë së animimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese. Zv.kryetari i LSI dhe kryetar i Grupit Parlamentar “E Majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, tha se qeveria “Berisha” ka nisur kështu betejën për të kapur ose për të shpartalluar edhe repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. “Presionet e fundit mbi Gjykatën Kushtetuese e mbi anëtarë të veçantë të saj, synojnë fillimisht që në pritje të shqyrtimit të ligjit për pastërtinë e figurave, ta paralizojnë këtë gardian të fundit të drejtësisë, për të mundësuar kështu zbatimin e këtij ligji tërësisht antikushtetues”, - tha ai. Xhufi theksoi se “zëdhënësit mekanikë të mendimeve të Sali Berishës përpiqen të gjejnë argumente e precedentë nëpër botë, për të goditur Gjykatën Kushtetuese dhe për të justifikuar zbatimin e ligjit në fjalë”. Më tej, ai vuri në dukje se sot është dita kur kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike për të mbrojtur, jo veten e saj, por ligjin, Kushtetutën e shtetin e së drejtës, nga sulmet e taborit anti-shtet, që përfaqësohet nga qeveria “Berisha” dhe jo vetëm nga ajo. “Ne kemi besim të patundur se Gjykata Kushtetuese, që shpeshherë është vënë para provave të ngjashme, do të sillet edhe kësaj radhe me dinjitetin dhe me përgjegjësinë sublime në mbrojtje të ligjit e të institucioneve”, - përfundoi Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›