Mblidhet kryesia e PS’91 Vlorë
Në përputhje me kalendarin politik të PS’91 u zhvillua mbledhja e kryesisë së PS’91 për rrethin e Vlorës. Në mbledhje mori pjesë edhe Makbule Çeço, sekretare e Përgjithshme e PS’91, si edhe Nazmir Bilani, anëtar i Kryesisë Kombëtare. Mbledhja u përqendrua kryesisht në procesin e shtrirjes organizative të PS’91 në bashkitë dhe komunat e rrethit. Pas raportit të kryetarit të rrethit, Kasëm Cenaj, u diskutua për veprimtarinë e mëtejshme organizative. Makbule Çeço, në emër të kryesisë kombëtare u përqendrua në situatën politike në vend, në objektivat dhe aleancat elektorale të partisë. "Kontributi ynë politik është thelbësor për rinovimin e së majtës socialiste dhe fitoren e saj në zgjedhje. Shkatërrimi i institucionalitetit në PS solli përçarjen aktuale të së majtës, por unë jam e bindur në bashkimin e saj bashkëqeverisës pas zgjedhjeve”, - tha Çeço. Sipas saj, 2008 ishte një vit i mbrapshtë për të majtën, por nëse ndërpritet bashkëpunimi Rama-Berisha, atëherë do të kemi një vit 2009 të mbarë për të majtën. “Bashkë me socialistët e LSI-së po ngremë një koalicion të ri fitues në zgjedhje. Ky është koalicioni që sjell ndryshimin dhe që garanton rrëzimin e Berishës", - përfundoi Çeço.