E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimi i PS-së për reformat e pritshme, Rama takon Withers dhe Lohan

Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, i fundit për këtë legjislaturë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pati një takim në selinë rozë me ambasadorin amerikan Withers dhe më pas drekoi me kreun e misionit të KE-së në vendin tonë, Helmuth Lohan. Zëdhënësi i ambasadës amerikane në një njoftim për mediat tha se pas vizitës së tij në SHBA, ambasadori Withers po kryen takime me udhëheqësit shqiptarë për t’i informuar mbi takimet atje. Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në takim janë prekur çështjet më të nxehta të politikës, si reforma zgjedhore, ligji për prokurorinë në kuadër të reformës në drejtësi, por edhe çështja ligjore e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të shtetit. Burime nga PS bënë të ditur dje se mes Ramës dhe Withers është folur për këto reforma dhe se kryetari i Partisë Socialiste i ka bërë të qartë ambasadorit Withers qëndrimet që ka mbajtur dhe publikisht për këto reforma. Rama është shprehur më parë se “partia e tij në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk do të bëhet pjesë e reformave gjysmake që dëmtojnë progresin e vendit dhe standardet demokratike, por se partia e tij është e vendosur të mbështesë dhe kontribuojë në reformat e mëdha që i duhen vendit”. Burimet thanë se biseda është përqendruar edhe tek debati i çelur për ligjin e ri të prokurorisë, ku Rama ka shprehur qëndrimin e Partisë Socialiste, që nuk do të pranojnë asnjë ligj që dëmton pavarësinë e prokurorisë. Menjëherë pas takimit me Withers, kryetari i PS-së drekoi me shefin e Komisionit Evropian në Shqipëri, Lohan, ku mësohet se biseda është fokusuar tek të njëjtat çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›