E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi pritet të marrë vendim këtë javë

14/02/2011  Kërkesae Prokurorisë për imunitetin e Metës dhe Priftit

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti për akuzat e korrupsionit, që mbërriti në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, pritet të shqyrtohet këtë javë nga Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i cili më pas, sipas Rregullores së Kuvendit, vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë. Sipas Rregullores, sot kryetarja e Kuvendit pritet të mbledhë Këshillin e Mandateve, i cili do të shqyrtojë kërkesën e dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Në nenin 118, pika 2 e tij të Rregullores së Kuvendit :për heqjen e imunitetit të deputetit”, parashikohet që “Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.” Nga ana tjetër, deputeti në fjalë ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes së ngritur nga organi i akuzës. Nëse Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet e gjen të bazuar kërkesën e Prokurorisë, atëherë vendimi kalon për votim në Parlament dhe hyn në rendin e ditës në seancën plenare më të afërt, që pritet të mbahet të enjten e ardhshme. Në këtë seancë Këshilli rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit që kërkohet nga drejtësia. Në këtë seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime ose për tiu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Në fund Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›