E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 28 qershorit, shpallja e rezultatit do të bëhet në kohë rekord

Teknologjia moderne me kamera dhe monitorë ndihmon edhe për informimin e publikut. Në KQZ është instaluar një superekran, i lidhur me të 66-ta qendrat e numërimit të votave

Shaban Sulçe

Të gjithë shqiptarët do të kenë mundësinë që të krijojnë një ide të qartë që në orët e para të mëngjesit të datës 29 qershor se cili prej koalicioneve do të jetë fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Shpallja e rezultateve paraprake do të bëhet jo vetëm nga exit-pollet që do të organizojnë televizione të ndryshme, por edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky i fundit do të ketë mundësi që t’i krijojë publikut një komunikim të shpejtë për rezultatin e procesit zgjedhor falë edhe instalimit të kamerave në vendet e numërimit të votave si dhe falë instalimit në ambientet e KQZ-së të një superekrani televiziv, i cili do të jetë i lidhur njëkohësisht me të 66-të vendet e numërimit të votave. Teknologjia moderne që do të përdoret nga KQZ-ja gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit jo vetëm që do të ofrojë transparencë për publikun, por do të mundësojë në këtë mënyrë edhe shpalljen në kohë rekord të rezultateve zgjedhore.

Superekrani
Në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke u instaluar një superekran, i cili do të jetë i lidhur njëkohësisht me të 66-të KZAZ-të. Ky superekran do të shërbejë jo vetëm për të monitoruar dhe për të ndjekur hap pas hapi procesin e numërimit të votave në çdo njësi, por njëkohësisht do të shërbejë edhe si një mjet shumë i rëndësishëm për informimin e publikut për rezultatet paraprake të zgjedhjeve. Pas procesit të numërimit të votave anëtarët e grupeve të numërimit do të plotësojnë procesverbalin, i cili do t’i dërgohet KQZ-së në rrugë elektronike, që është edhe rruga më e shpejtë. Më pas do të jetë KQZ-ja që në komunikimin e vazhdueshëm që do të ketë me median, do të përcjellë rezultatet zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, procesi i numërimit të votave duhet të përfundojë në orën 17:00 të ditës së hënë, më 29 qershor. Nga ana tjetër, Kodi parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta shpallë rezultatin përfundimtar tri ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve.

Kamerat
Për herë të parë në proceset zgjedhore të zhvilluara deri tani, në zgjedhjet e 28 qershorit do të përdoren kamera dhe monitorë për numërimin e votave. Deri tani mësohet se në mbi 50 komisione zonale të administrimit zgjedhor është bërë instalimi i kamerave dhe monitorëve, ndërkohë që për 16 KZAZ-të e tjera ky proces pritet të përfundojë shumë shpejt. Grupet e numërimit të votave do të përbëhen nga 6 anëtarë, ndërkohë që shumë vëzhguesit e partive të tjera, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, do të kenë më shumë mundësi për të parë se për kë parti është votuar në fletën e votimit falë projektimit të saj në monitorë. Ndërkaq, në Kodin e ri Zgjedhor është parashikuar riprodhimi dhe shpërndarja e kasetave të regjistruara gjatë procesit të numërimit të votave për secilën parti që pretendon për parregullsi apo manipulime.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›