Milo: “Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që mendon për ta”
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Pogradecit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo tha se Shqipëria nuk ka më nevojë për drejtues dhe qeveritarë që kur shkojnë në zyrën e tyre mendojnë se çdo të bëjnë për xhepat e tyre. Sipas Milos, Shqipëria ka nevojë që kryeqeveritari dhe qeveritarët të mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se çfarë u bënë sot shqiptarëve dhe çfarë do bëjnë nesër për ta. Ai theksoi se ka ardhur koha për largimin e Sali Berishës, pasi bëri të kundërtën gjatë këtyre katër viteve. “Kemi një detyrë të madhe por edhe të vështirë, ta largojmë qeverinë e Sali Berishës nga qeverisja e Shqipërisë. Këtë nuk duhet ta shikojmë si një zëvendësim të një ekipi qeverisës me një tjetër, apo si një shprehje të rotacionit politik në Shqipëri. Këtë largim të kësaj qeverie nga pushteti ne duhet ta bëjmë në emër të interesave shumë të larta të vendit dhe të shqiptarëve”, - tha Milo.
Gjinushi: “Berisha është armiku i Kushtetutës”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, zhvilloi një tur takimesh në rrethin e Kukësit dhe në rrethin e Hasit. Gjinushi prezantoi kandidatët e Partisë Socialdemokrate për qarkun e Kukësit, ku lista në këtë qark kryesohet nga kandidatura e Apostol Goxhit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kryesocialdemokrati tha se vendi ka nevojë për një qeveri të ndershme. Kreu i PSD-së tha se shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri të korruptuar dhe për një kryeministër i cili është armiku i Kushtetutës dhe i institucioneve të pavarura. “Shqipërisë i duhet një qeveri e ndershme dhe që të punojë për ju. Shqiptarët nuk mund t’i besojnë më një qeverie me një kryeministër të paaftë, që nuk njeh Kushtetutën e vendit dhe konfliktohet me të gjithë institucionet e vendit”. Ai tha se PSD-ja do të japë një kontribut të madh për fitoren e koalicionit “Bashkimi për ndryshim” në zgjedhjet e 28 qershorit.
16 Qershor 2009