Meta: “Do të angazhohemi 24 orë në 24 për ta nxjerrë vendin nga kriza”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim në Gramsh, ku ka prezantuar kandidatin e LSI-së në këtë qytet, mjekun Enver Roshi. Duke marrë fjalën në këtë takim, Meta u shpreh se ai, ashtu si dhe qindra mijëra shqiptarë, prisnin me padurim 28 qershorin, ditë në të cilën, sipas Metës, do të triumfonte LSI-ja në zgjedhje. Meta tha se fituesja e këtyre zgjedhjeve do të jetë e majta, ndërsa deklaroi se LSI-ja do të jetë forca përcaktuese në këto zgjedhje.
“Më 28 qershor fituesja e zgjedhjeve është e majta, sepse fituesja e vërtetë është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse ajo vendos shumicën e ardhshme parlamentare, ajo vendos qeverinë e ardhshme. Të gjithë socialistët dhe progresistët në Gramsh dhe në të gjithë Shqipërinë e dinë shumë mirë se kush ia ka treguar ligjin Sali Berishës dhe e dinë shumë mirë se kush do ta largojë Sali Berishën më 28 qershor dhe ky është Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. E kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se pas 28 qershorit do të bëjë koalicion me Partinë Socialiste dhe na vjen shumë keq për ata të cilët ende nuk prononcohen se me kë do të bëjnë koalicion mbas 28 qershorit. Megjithatë, të jeni të sigurt se e majta dhe progresistët do të bashkohen më 29 qershor dhe unë do t’i ftoj të gjithë; Ramën, Nanon, Gjinushin, Milon dhe të gjithë për t’u bashkuar në një qeveri për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për të çuar në pension njëherë e përgjithmonë Sali Berishën, për të larguar varfërinë dhe papunësinë nga Gramshi”, - vijoi Meta. Më tej, kreu i LSI-së, duke folur për numrin 24 të LSI-së në fletën e votimit, tha se ky numër tregon se LSI-ja dhe Ilir Meta do të angazhohen 24 orë në 24 për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’iu ofruar shqiptarëve punësim. “Dikush më pyeti pse na ka rënë numri 24 i LSI-së në listën e partive për datën 28 qershor. Unë po ju them sepse shqiptarët presin nga LSI-ja dhe Ilir Meta nga ardhja në pushtet të angazhohemi 24 orë në 24 orë për të nxjerrë vendin nga kriza, për t’u ofruar shqiptarëve punësim, për t’u dhënë familjeve shqiptare mundësinë për të jetuar me dinjitet. Ndaj ne do të punojmë 24 orë në 24 orë, sepse populli i Gramshit është një popull i dashur dhe ne do t’i krijojmë mundësi që të punojë dhe të krijojë të ardhura të qëndrueshme për të garantuar një mirëqenie për familjet tuaja dhe për fëmijët tuaj”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
16 Qershor 2009