Kuvendi shkarkon Pangon,Turku ministër Kulture
Ylli Pango u shkarkua dje, me 100 votat e deputetëve. Ardian Turku merr vetëm votat e mazhorancës
TIRANË- Kuvendi ka shkarkuar me votë unanime Ylli Pangon nga posti i ministrit të Kulturës.
Klasa politike e përfaqësuar në Kuvend, pavarësisht debateve publike, ku nuk kanë munguar akuzat dhe kundërakuzat për përmbajtjen dhe mënyrën e realizimit të videoskandalit të ministrit të Kulturës, ka qenë e pamëshirshme në dënimin e aktit të përdorimit të postit nga ana e ministrit për përfitime seksuale.
Megjithëse dje nuk ka patur debat për këtë çështje, qëndrimi i politikës për këtë ngjarje është shprehur nëpërmjet votës, ku dekreti për shkarkimin e tij ka marrë 100 vota pro dhe asnjë kundër. Ndërkohë, po dje, Kuvendi ka votuar edhe për zëvendësimin e Pangos me kandidaturën e Ardian Turkut.
Por, ndërsa për shkarkimin e Pangos kanë votuar pro të gjithë deputetët, për dekretin e emërimit të Turkut, forcat politike të përfaqësuara në Kuvend, janë ndarë përsëri.
Kështu, Turku ka marrë 72 vota pro të mazhorancës, ndërsa opozita ka votuar kundër tij. Kandidatura e Turkut, vetëm një ditë më parë, kishte marrë pëlqimin e Kreut të Shtetit, i cili me anë të një dekreti miratoi propozimin e Kryeministrit Sali Berisha.
Ministri Ardian Turku është diplomuar për Psikologji dhe mban gradën shkencore "Profesor i Asociuar".
Turku është bërë i njohur për opinionin publik kur ka drejtuar për tre vjet (2004-2007) Bashkinë e Elbasanit, ndërsa prej disa kohësh mbante pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Elbasanit.
Emërimi i Ardian Turkut në postin e ministrit të Kulturës, shënon një ndryshim të detyruar të qeverisë, pas videos që shfaqi "Fiks Fare" për ish-ministrin Pango, ku ky i fundit tentonte që të joshte për përfitime seksuale një vajzë, që kërkonte punë në institucionin që drejtohej prej tij. Menjëherë pas publikimit të kësaj videoje, Kryeministri Sali Berisha e shkarkoi atë nga kjo detyrë, me argumentin se sjellje të tilla ishin të pahijshme për qeverinë e tij.
Ndërkohë, pas këtij momenti, Pango ka tentuar nëpërmjet disa shfaqjeve televizive që të hedhë poshtë si të pavërteta dhe të montuara imazhet që paraqiten në këtë video.
Kjo ngjarje u konsiderua si skandal i rëndë dhe u dënua pothuaj nga i gjithë opinioni publik, si dhe nga vetë mazhoranca, e cila i kërkoi atij që të dorëzojë dhe mandatin.