Kuvendi, sot në shqyrtim projektligji “Anti-mafie”
Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të nisë sot shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9284, datë 30.9.2004 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar””. Projektligji ndryshon dhe përmirëson rregullat, me qëllim ndarjen e saktë të procesit civil të sekuestrimit/konfiskimit të pasurive të paligjshme nga procesi penal, duke vënë theksin që procedura zhvillohet kundër pasurisë dhe jo kundër personit. Në ndryshim nga ligji nr. 9284, 30.09.2004, projektligji saktëson se masat parandaluese zbatohen ndaj pasurisë së personit të dyshuar dhe jo ndaj personit. Kjo ndarje synon të lehtësojë kuptimin dhe zbatimin e ligjit në praktikë, nëpërmjet përdorimit të procedurës civile për goditjen e këtyre pasurive. Procedura civile e drejtuar kundër pasurisë ka avantazhin e barrës së provës që kalon tek personi që zotëron këto pasuri dhe niveli i të provuarit është dukshëm më i ulët sesa në procedurën penale. Në këtë projektligj rezulton se është shtuar rrethi i veprave penale që përfshijnë edhe standardin e pajustifikuar të jetesës si bazë për fillimin e procedurave verifikuese të këtij ligji. Në vijim është shtuar neni 3/1, që rithekson se procedura verifikuese vepron ndaj pasurisë dhe zgjeron fushën e veprimtarisë së ligjit, duke e shtrirë edhe tek trashëgimtarët e zotëruesit të pasurive të paligjshme nën një afat të caktuar.