E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi takim me mësuesit në prag të 7 Marsit

TIRANë- Kuvendi i Shqipërisë, në prag të 7 marsit, Ditës së Mësuesit dhe ditëlindjes së shkollës së parë shqipe, nën kujdesin e Kryetares, Jozefina Topalli, hapi dyert në një takim që mblodhi deputetë dhe mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Takimi, si një moment i shprehjes së nderimit dhe mirënjohjes për të gjithë njerëzit që i kanë kushtuar jetën profesionit fisnik të edukatorit të brezit të ri, shërbeu edhe si çast ritakimi i mësuesve me ish-nxënësit e tyre, sot deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Në fjalën përshëndetëse, kryeparlamentarja Topalli u shpreh se prania e shumë mësuesve në një prej sallave që në kohën e regjimit ka qenë sallë e byrosë politike, e ka transformuar atë, duke e bërë edhe më të ndriçuar.

"Ju i keni dhënë kësaj salle dritë, sepse ju, mësuesit jeni udhërrëfyesit tanë drejt suksesit. Ju pasuroni personalitetin e gjithsecilit prej nesh përmes njohurive, por edhe dashurisë suaj. Ju jeni guida e jetës dhe frymëzuesit më të mëdhej të njerëzimit. Misioni juaj është hyjnor. Ju formësoni të ardhmen. Ky takim i sotëm është një simbol i mirënjohjes për të gjithë devotshmërinë dhe përkushtimin tuaj pa kufij", iu drejtua ajo mësuesve të pranishëm.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj i pranishëm në këtë takim tha se përveç një letre urimi të dërguar për çdo mësues, së bashku me Ministrin e Arsimit të Kosovës, do të përshëndesin nga Korça, qyteti i Mësonjëtores së parë shqipe, të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›