E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi të miratojë planin antikrizë

Autori i Lajmit: red.
Të miratohet urgjentisht nga Parlamenti plani antikrizë. Kështu është shprehur sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, lidhur me krizën ekonomike, e cila sipas tij, është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe Qeveria po mban qëndrim aventuresk ndaj krizës. “Qeveria e Sali Berishës është e vetmja qeveri në rajon dhe në botë që nuk ka bërë publike asnjë Plan Antikrizë në një kohë që bizneset po japin alarmin duke ulur ndjeshëm prodhimin, xhiron e tyre e për rrjedhojë edhe fitimet, duke shkaktuar edhe falimentimin e mjaft prej tyre. Nuk është e para herë që dyshja Berisha-Bode janë krejt të pashqetësuar për krizën, ashtu siç bënë edhe në vitin 1996 me firmat piramidale që shkaktuan një tragjedi të pashembullt dhe ky qëndrim euforik e i papërgjegjshëm i tyre konstaton dukshëm me shqetësimin shumë të madh të të gjitha shteteve evropiane që prej kohësh kanë miratuar Planet Antikrizë për zbutjen e krizës”, - tha Vasili. Ai shtoi se çdo shmangie nga hartimi i një plani të tillë, ngarkon me përgjegjësi Qeverinë dhe kryeministrin Berisha.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›