E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjislacioni shqiptar, së shpejti në databaze elektronik

Autori i Lajmit: red.
Legjislacioni shqiptar nga viti 1991, do të vendoset së shpejti në një database elektronik. Ecuria e projektit për kompjuterizimin e bazës ligjore të të dhënave të Kuvendit, që po realizohet në bashkëpunim me OSBE-në, u prezantua në një aktivitet të organizuar dje në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Një projekt ambicioz dhe të guximshëm e cilësoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli kompjuterizimin e ligjeve të Shqipërisë, duke nënvizuar se ky projekt bën të mundur që Kuvendi i Shqipërisë të jetë në të njëjtin nivel me parlamentet e tjerë të Evropës, nga pikëpamja e teknologjisë së informacionit. “Kjo bazë të dhënash do të bëjë të mundur që të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë nga viti 1991 e deri më sot, të mund të konsultohen online në versionin e tyre të plotë "full tekst" dhe çka është më e rëndësishmja, në formën e tyre integrale. Pra të kemi ligjin në formën e tij përfundimtare, duke përfshirë gjithë amendimet që ka pësuar ndër vite”, - theksoi ajo. Gjatë prezantimit, konsulenti i projektit, André van der Meer, vlerësoi angazhimin e Kryetares së Kuvendit, për zbatimin korrekt të fazave të projektit. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe jetik për organizimin e Kuvendit, si institucioni kryesor i një Republike parlamentare”, - u shpreh der Meer.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›