E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi tek Piramida Kushtetuesja rrezon bashkine

Bashkia e Tiranës, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi përplasin argumentet  në Gjykatën Kushtetuese për prishjen ose jo të godinës së njohur me emrin “Piramida”. Në fillim të seancës, 9 anëtarët e Kushtetueses kanë rrëzuar kërkesën e Bashkisë së Tiranës për të pezulluar të gjitha veprimet për ndërtimin e godinës së re të parlamentit deri në një vendimmarrje përfundimtare të kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese. Për këtë argument, bashkia e Tiranës  ka bërë një apologji me çështjen e prishjes së piramidës me Prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi. (Update)

“Ne mendojmë që duhet të shqyrtohet kërkesa për pezullim fillimisht dhe të dali me një vendim kjo gjykatë dhe pastaj të vazhdojmë me themelin e çështjes. Kryetari jonë që ka marrë pjesë në atë këshill teknik ka thenë ‘të ndërtohet, por të ndërtohet mbi godinën ekzistuese’. Pra të bëhet një rikonstruksion i kësaj godine ekzistuese, pa u prishur kjo godinë dhe në këtë mënyrë pa u prishur edhe thelbi i asanmblit monument kulture”- tha Natasha Kondi, përfaqësuese ligjore e Bashkisë së Tiranë. 

“Si anëtar i komisionit, kryetari i bashkisë së Tiranës është shprehur dakort për ndërtimin e kompleksit parlamentar edhe në vendin ku është përcaktuar, pavarësisht se objeksionet e tij kanë qenë të lidhura nëse prishet apo nuk prishet një godinë e caktuar e cila është një zgjidhje e çështjes në kuptimin arkitekturor, por jo politik”-  tha Lulzim Lelçaj, përfaqësues ligjor i Kuvendit.

Pas 15 minutave, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja ka bërë të ditur vendimin e trupës gjykuese për të rrëzuar kërkesën e bashkisë së Tiranës.

“Gjykata pasi dëgjoi pretendimin e palëve në lidhje me kërkesën paraprake për pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit vendosi rrëzimin e kërkesës pasi në këtë fazë nuk ka sjellë prova, argumente bindshëm për të marrë masën provizore të pezullimit të vendimit”- tha Dedja.

Konflikti mes bashkisë së Tiranës me legjislativin dhe ekzekutivin do të jetë një çështje e cila do të marrë zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.

“Në çdo fjali të paraqitur në këtë seancë të sotme u përdor shprehja ‘do të’ që do të thotë se bëhet fjalë për një situatë në të ardhmen që nuk dihet se kur do të ndodhë dhe si do të ndodhë sipas kërkuesit. Shifrat e përmenduar këtu si dëme financiare nuk i pranojmë dhe pretendojmë se ato janë spekulime. Nuk mund të pretendohen si të provuara thjesht me fjalën e kërkuesit. Së dyti, duam të vëmë në dukje që interesi publik për financat publike nuk i takon këtij gjykimi në të cilin kemi objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave”- tha Marsida Xhaferrllari, perfaqesuese ligjore e Qeverise.

Projektligji për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit ka hyrë në kalendarin e punimeve të parlamentit për këtë sezon, ndërsa prishja e Piramidës do të bëhet tri muaj pasi vendimi të hyjë në fuqi.

Erjon Ajazi
Azhornuar së fundi ( e premte , 10 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›