E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hetimi ndaj meje, i qëllimshëm



Vendimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e quajti dje të qëllimshëm në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Përmes një konference për shtyp, Rama deklaroi nga ndërtesa e Bashkisë së Tiranës se “çdokush e di që ky komision hetimor nuk është gjë e re, por thjesht rivënia në skenë e një shfaqjeje të vjetër”. Kryebashkiaku përmendi në këtë kuadër rastin e fotografive nudo të tij, të shpërndara dy vjet më parë gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor. "Ishte një truk i kësaj natyre, që u vu në jetë nëpërmjet shpërndarjes së fotografive personale, që synonin goditjen drejtpërdrejt të personalitetit dhe dinjitetit tim, për të goditur në fakt kandidaturën time. Dhe përgjigjja e qytetarëve të Tiranës ishte e prerë, humbje për këta zotërinj”, - tha ai. E njëjta shfaqje, sipas tij, ishte dhe komisioni hetimor i gjashtë viteve më parë. “Gjashtë vjet më parë, përsëri në prag të fushatës elektorale u ngrit një tjetër komision hetimor, me të njëjtat akuza, në të njëjtën formë dhe me të njëjtën përgjigje nga qytetarët, humbje për ata që e organizuan”, - u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku Rama. Sipas projektvendimit të miratuar dje, “komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues”.

Korrupsioni, Rama hetohet për herë të dytë

Aferat e shumta korruptive të praktikuara gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës kanë bërë që Parlamenti të hetojë për herë të dytë kryebashkiakun Edi Rama. Kuvendi vendosi dje të hetojë me anë të një komisioni parlamentar, procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës në dhënien e lejeve të ndërtimit. Objekti i komisionit, sipas vendimit të miratuar, do të jetë hetimi i procedurave "të dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, si dhe mosdërgimi i Planit të ri Rregullues të kryeqytetit, për miratim". Ndërsa nëntë deputetë, anëtarë të komisionit, do të nisin tashmë procedurat e hetimit parlamentar ndaj Ramës, edhe zhvillimet politike ndaj këtij procesi, që ripërsëritet pas 6 vjetësh, pritet të jenë të forta.

Megjithatë, Edi Rama paraqitet sot në pozita ndryshe nga ato të vitit 2003, kur u hetua nga Kuvendi. Aktualisht Edi Rama nuk është sot vetëm kryetar i Bashkisë së Tiranës, por dhe kryetar i PS-së, partisë më të madhe opozitare në vend. Hetimi i tij në 2003-shin lidhej me akuzat për abuzime në Ministrinë e Kulturës, kur mbante postin e ministrit dhe në Bashkinë e Tiranës, në postin e kryebashkiakut, të cilin vazhdon ta mbajë dhe sot.

Më 10 mars 2003, Partia Demokratike, në atë kohë në opozitë, formalizoi kërkesën për ngritjen e komisionit të parë hetimor ndaj Ramës, i cili kishte objekt përdorimin e fondeve publike në Bashkinë e Tiranës dhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve në periudhën 1992-2002. Pas një hetimi tremujor, që u shoqërua me debate të forta mes PS-së në atë kohë në pushtet dhe PD-së, kryetari i komisionit, Sokol Olldashi, depozitoi pranë Prokurorisë së Tiranës tre padi penale ndaj kryebashkiakut Rama, që lidheshin me abuzimet financiare të vërejtura në Ministrinë e Kulturës, gjatë kohës që Rama ishte në postin e ministrit. Paditë e mësipërme kishin të bënin me abuzimet e vërejtura në rikonstruksionin e fasadave të gjashtë ministrive në qendër të kryeqytetit, në projektin e "Kambanës së paqes", (para Piramidës), si dhe në organizimin e "Festës së Pezës" në vitin 2000. Gjatë qershorit të vitit 2003, z. Olldashi, në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor, depozitoi në Prokurori edhe dy kallëzime të tjera penale ndaj Ramës lidhur me shkeljet e konstatuara nga mosderdhja e parave të dhënies me qira të ambienteve të "Qendrës Kombëtare të Kulturës" ndaj "Alba TV", si dhe me administrimin e gazetës "Sporti Shqiptar", administrim që kaloi në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Kulturës në shoqërinë "2K Group", me përfaqësues të saj, biznesmenin Koço Kokëdhima.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›