Kuvendi, voton sot pasdite pr/buxhetin 2009
TIRANE- Parlamenti në seancën e pasdites pritet të mirtojë projektbuxhetin e shtetit të vitit 2009. të enjten Kuvendi mbylli seancën me një debat tepër të gjatë për draft-buxhetin. Seanca vazhdoi mbi 12 orë pa ndërprerje sepse diskutuan 75 për qind e deputetëve dhe u mbyll rreth orës 5 të mëngjesit pa një votim formal për buxhetin e ri. Kryetarja e parlamentit e mbylli seancën e debatit pak minuta pasi deputetët socialistë të opozitës u larguan nga salla, në shenjë proteste ndaj “demagogjisë së maxhorancës me këtë projekt-buxhet”, siç thanë ata. Qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm 383 mld lekë shpenzime, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat mund të arrijnë në 333 mld lekë, pra një deficit rreth 4 %. Ekzekutivi ka planifikuar një fond rezervë prej 15.7 mld lekësh për të përballuar goditjet e mundshme nga kriza ekonomike botërore. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se me buxhetin e vitit ‘09 është programuar rritje rrogash dhe pensionesh deri në masën 60 për qind.
(s.g/BalkanWeb)