E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pllakat, 400 punëtorë “në të zezë”

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Në malin e Tomorrit operojnë 45 firma të palicencuara me rreth 400 punëtorë për nxjerrjen e gurëve dekorativë. Këto janë të dhënat e para të siguruara nga inspektorët e krimit ekonomik të policisë së Beratit, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi.
Hetimet nisën pas tragjedisë së ndodhur në pllajën e Tomorrit, në afërsi të fshatit Novaj, ku dy punëtorët Jani Pirko dhe Lili Tumasi humbën jetën si pasojë e shembjes së një pirgu me pllaka. Pas kësaj ngjarjeje, Prefektura e Beratit ngriti një grup kontrolli. Përveç ekspertëve të këtij institucioni, pjesë e grupit është edhe policia dhe prokuroria. Ata do të kalojnë në sitë të gjitha firmat që kryejnë aktivitet në minierat e pllakave të gurit në malin e Tomorrit. Lajmin e konfirmoi dje prefekti i Beratit, Thoma Rumnici. Ai u shpreh se ky kontroll po bëhet pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku humbën jetën në minierat e gurit dy punëtorë nga Ura Vajgurore. Sipas Rumnicit, do të merren masa të rrepta për të parandaluar ngjarje të tjera me pasoja të rënda. “Për të parandaluar këtë fenomen, prefektura ka ngritur një grup kontrolli, i cili përbëhet nga oficerë të prokurorisë dhe të krimit ekonomik në policinë e Beratit. Kontrolli ka për qëllim të evidentojë firmat që kryejnë aktivitet në këtë miniera, nëse ato janë të licencuara si dhe të dhëna të tjera të rëndësishme”, bënë të ditur burime nga Prefektura e Beratit, institucion i cili mori edhe iniciativën e këtij grupi të përbashkët të kontrollit. Ndërkohë, burime pranë policisë bënë të ditur se nga të dhënat e siguruara në rrugë operative, por edhe të punës në terren të agjentëve të saj, ka dyshime se në malin e Tomorrit kryejnë aktivitet të jashtëligjshëm rreth 45 firma. Një ndër veprimet e policisë për të dokumentuar një dyshim të tillë është edhe marrja e të dhënave pranë Drejtorisë së Tatim – Taksave. Përveç 45 firmave që zhvillojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm, në malin e Tomorrit dyshohet se ka edhe punonjës të tjerë që punojnë në grupe të vogla për të siguruar të ardhura për familjet e tyre nga shitja e pllakave dekorative. Prefekti Rumnici pohoi se nga sinjalet e para grupi ka zbardhur shumë shkelje ligjore të disa pronareve të këtyre firmave. Mëngjesin e së enjtes, dy punëtorë nga Ura vajgurore gjetën vdekjen në punë, si pasojë e shembjes së një masivi të gurëve. Disa prej pllakave ishin të mprehta duke iu prenë atyre pjesë të gjymtyrëve dhe të trupit. Policia arrestoi pas ngjarjes pronarin e firmës, Gentjan Qato 36 vjeç me akuzën e “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›