Kuzhe: Humbëm me lojë, por fituam talente
Tekniku Kuzhe lavdëron të rinjtë, ndërsa për Ujkanin, që gaboi edhe mbrëmë, thotë se nuk po kalon një moment të mirë
Një nga testet për qëndrimin ose jo në krye të kuqezinjve ishte ndeshja e mbrëmshme ndaj Francës. Në këtë sfidë për kualifikueset Euro 2012 Kuzhe mori edhe një tjetër notë negative pas asaj në Tiranë në 2 shtator ndaj Francës, ku humbi 1-2, dhe në Luksemburg në 6 shtator ku kuqezinjtë turpëruan imazhin e kuqezinjve.
Tekniku kroat, Josip Kuzhe, pas ndeshjes së humbur ndaj Francës ka deklaruar, duke justifikuar shifrat, se ky takim ishte për të fituar talente dhe jo për të synuar pikë. Më tej ai është shfaqur si avokat mbrojtës për portierin Ujkani. Për të ardhmen e tij ai nuk ka komentuar më tej, duke thënë për mediat këto fjalë: Pas këtij takimi jam i bindur se këta të rinj vlejnë më shumë dhe mund të japin më shumë në fushën e lojës, edhe pse në këtë takim nuk mundën të merrnin rezultatin që duhej.
Megjithatë, ishte një ndeshje transferte dhe ndaj një kundërshtari si Franca, ndaj humbja ishte e pritur, pasi ky ekip i ka të qarta synimet për Euro 2012. Futbollisti që mund të japë më shumë në fushën e lojës them se është Januzi, sepse ka aftësi të mira në lojë, por ka edhe të tjerë.
Për Ujkanin them se është akoma në një moment jo të mirë dhe vazhdon të mos japë atë që duhet në kombëtare dhe si rrjedhojë pëson gola që mund të shmangen. Për ndeshjen e radhës theksoj sërish që kam mungesa me rëndësi. Përsa i përket ndeshjes së sotme, mungesat si Skela, Agolli, Teli, Lala etj., u ndjenë shumë. Në disa pozicione, mungesa e tyre ishte shumë e ndjeshme.
E ardhmja e trajnerit Edhe pas kësaj humbjeje, ai thekson se Franca nuk ndikon në të ardhmen e tij në krye të Shqipërisë: Për të ardhmen time unë nuk mund të them ende asgjë, sepse kjo ndeshje nuk ka lidhje me vijimësinë time në krye të Shqipërisë, nuk kushtëzon vendin tim, përfundon tekniku Josip Kuzhe, i cili ka edhe provën e fundit me kombëtaren tri ditë më vonë në Qemal Stafa kundër Rumanise, ndaj së cilës do të testojë përfundimisht veten dhe do të përgatisë terrenin për rinovim ose jo të kontratës që i skadon në 31 dhjetor të këtij viti, edhe pse FSHF ka fiksuar dy miqësore në nëntor.
Goleadë e Bosnjës, Rumania smund dot Bjellorusinë
Bosnja ka bërë një paraqitje dinjitoze në ndeshjen e parafundit në grup, ku ka fituar 5-0 ndaj Luksemburgut. 4 gola të shënuar në pjesën e parë dhe një gol i shënuar në të dytën e çojnë automatikisht skuadrën boshnjake minimalisht në play-off për këto eliminatore. Ajo luan në Francë ndeshjen e fundit dhe aty do të ketë shanset e fundit për tu kualifikuar direkt në finalet e Euro 2012.
Ndërsa Rumania nuk ka shkuar më shumë sesa një barazim me bjellorusët, që kanë barazuar dy herë pas golave të shënuar nga Adrian Mutu si në pjesën e parë me Kornilenkon në të 45-tën, ashtu edhe në të dytën me Dragun në të 82-tën. Luksemburgu dhe Bjellorusia dje i kanë mbyllur këto eliminatore, pasi nuk kanë më ndeshje për të zhvilluar dhe përfundimisht bjellorusët sigurojnë vendin e 4-t në grupin D, ndërsa luksemburgasit largohen nga këto eliminatore me shijen e një fitoreje mbresëlënëse ndaj Shqipërisë më 6 shtator.