Shqipëri pa të ardhme, jemi sërish të parafundit në grup
Kuqezinjtë kanë pësuar 3 gola, duke i mbyllur matematikisht eliminatoret në vendin e parafundit. Odise Roshi, shkëndija kuqezi në Stade de France
FRANCË – SHQIPËRI 3 – 0
Shënues: Maluda 11, Remi 38, Reveje 67
Franca: Loris, Debushe, Evra (Reveje 46), Rami, Kabul, Kabaje (Martin 47), Gomis (Sise 80), Nasri, Maluda, MVila, Remi. Trajner: Laurent Blank
Shqipëria: Ujkani, Lila, Vangjeli, Dallku, Cana, Duro, Lika (Lilaj 81), Salihi, Muzaka (Januzi 74), Hyka (Bakaj 63), Roshi. Trajner: Josip Kuzhe
Kartonë të verdhë: Debeshe, Rami, Remi / Lila, Vangjeli, Cana, Duro
Gjyqtarë: Mikael Kukulaqis, Dhimitri Saradharis, Leonidha Vasilaidhis (Greqi)
Ka përfunduar ashtu siç mund ta ketë parashikuar çdo sportdashës ndeshja e Stade de France. Shqipëria ka pësuar 3 gola, dy në pjesën e parë, duke u mundur me një rezultat të pastër 3-0. Me shumë mungesa në çdo repart, trajneri Josip Kuzhe nuk ka patur mundësi zgjedhjeje, duke aktivizuar për herë të parë në kombëtare dy futbollistë: Odise Roshin dhe Ahmen Januzin.
Mesfushori i Këlnit nuk ka luajtur as në rolin e tij natyral, në të djathtë, për i ka ardhur në ndihmë skuadrës në të majtë, aty ku mungonte Ansi Agolli. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Januzin, i cili nga sulmues i parë, për aq minuta sa ishte në fushë luajti shumë i tërhequr në të majtë. Nëse për futbollistin e Vorsklës është e vështirë të japësh një vlerësim të saktë, Odise Roshi dha shkëndijën e parë që shumë shpejt do të jetë lojtar i formacionit bazë.
Pjesa e parë Shqipëria e ka nisur ndeshjen me një formacion të sajuar, i kushtëzuar nga mungesat e shumta për arsye kartonësh dhe dëmtimesh. Sikur të mos mjaftonte mungesa e Lalës si shkatërrues, Kuzhes i është dashur të mendojë edhe për zëvendësimin e Ervin Bulkut, i cili, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor për ta riaftësuar në kohë, nuk ka udhëtuar fare drejt Francës. Kuzhe, duke parë gabimet e ndeshjeve të fundit, është shfaqur fanatik me katërshen e mbrojtjes.
Edhe pse e ka menduar gjatë, në fund nuk ka preferuar ta aktivizojë Andi Lilën si shkatërrues, por i ka besuar Gilman Likës, duke lënë Muzakën në të djathtë. Sikurse pritej, Franca do ta kontrollonte lojën qysh në fillim dhe goli nuk do të vonohej. Si gjithmonë, ndëshkimi i kundërshtarit vjen nga një gabim naiv i tanëve. Vangjeli beson më shumë se çduhet në një dyluftim me Reminë, duke e humbur topin në anësore.
Sulmuesi depërton në të djathtë dhe fut një top në zonë në krahun tjetër për Maludanë. Futbollisti i Çelsit është me fat, pasi topi i goditur prej tij përfundon në rrjetë i devijuar nga Dallku sa për të nxjerrë jashtë loje Ujkanin. Odise Roshi, në të majtë të mesfushës, duke i zbatuar me përpikëri detyrat e trajnerit, shpesh detyrohet të kthehet deri në vijën fundore, për të ndalur sulmet e francezëve.
Në pjesën e parë loja e kuqezinjve përqendrohet më shumë në krahun e djathtë, ku Duro, Muzaka dhe Dallku afrohen deri në fundore, por pa shumë rrezikshmëri. Pjesa e parë është pozitive edhe për Jahmir Hykën, i cili guxon, futet në driblim, por e ka të pamundur të bëjë më shumë. Ndërsa Salihi, i vetëm në sulm, ashtu sikurse e kishte parashikuar, smund të bëntë asgjë përballë mbrojtjes së fuqishme franceze.
Në minutën e 38-të, Samir Nasri e bën çorap mbrojtjen shqiptare, duke nxjerrë të lirë Reminë në të djathtë të sulmit. Ky i fundit, edhe pse në pozicion të prirët, shënon i ndihmuar edhe nga qëndrimi jopozicional i Ujkanit (topi prek pjesen e brendshme të këmbës së djathtë të Ujkanit dhe përfundon i devijuar në rrjetë).
Pas këtij momenti Shqipëria guxon më shumë, pasi çka çfarë të humbasë. Odise Roshi, i cili deri në këto momente kishte menduar vetëm për mbrojtjen, godet fort nga 30 metra largësi, duke e detyruar Lorisin ta dërgojë topin në fundorë. Roshi, i çliruar tashmë psikologjikisht, i lejon vetes të bëjë disa veprime teknike, por pa e tepruar.
Pjesa e dytë Ndeshja e ka marrë rrjedhën e saj qysh në pjesën e parë. Kuzhe hedh në fushë të njëjtin formacion, duke pritur momentin e përshtatshëm për të bërë zëvendësimet e duhura. Gjatë 45-minutëshit të dytë bie rendimenti i Jahmir Hykës, ndoshta i lodhur në pjesën e parë, ndërsa Muzaka e ka të vështirë të depërtojë nga e djathta. Francezët bëjnë detyrën, qarkullojnë mirë topin, por ndeshen me mbrojtjen e dendur të kuqezinjve.
Kuzhe e kupton që ka ardhur momenti për të bërë zëvendësimet. Në fillim kërkon të rifreskojë mesfushën, duke aktivizuar Bakajn në vend të Hykës, por francezët shënojnë sërish, këtë radhë në krahun e majtë të sulmit me Revejenë, i cili, edhe pse shumë prirët me portën, e dërgon topin në shtyllën e parë, aty ku Ujkani duhet të ishte vendosur më trup. Është një gol thuajse identik me atë të pjesës së parë, veçse anën tjetër të portës.
Kuzhe, pas pësimit të golit të tretë, aktivizon Januzin në vend të Gilman Muzakës, për të guxuar në sulm. Roshi kalon në të djathtë, por nuk mund të bëjë më shumë se në pjesën e parë. 10 minutat e fundit i jepet mundësia edhe Sabien Lilës, ish-futbollistit të Tiranës, i cili nuk pati mundësi të tregonte shumë. Franca, që tashmë e ka koleksionuar fitoren ndaj kuqeiznjve, madje pa u sforcuar, e administron lojën edhe në në minutat e mbetura.
Përfundimisht 3-0 në Stade de France. Kjo ndeshje tregoi qartë se Kuzhe duhet ti kishte afruar më herët lojtarë të tillë si Roshi apo Januzi, pse jo edhe Sabien Lilën, që debutimi të mos u ndodhte për emergjencë, për shkak të mungesave. Përfundimisht Shqipëria bën të vetin vendin e parafundit në renditje, duke mos arritur objektivin minimal në këtë fushatë eliminatoresh. Ndeshja e 11 tetorit me Rumaninë do të jetë sa për statistikë, ndoshta për të afirmuar të rinjtë si Roshi, Januzi dhe Lilaj, pasi nuk shërben për asgjë tjetër.
Nr. Skuadra Fit Brz Hmb Glv Pikë
1.Franca 6 2 1 14-3 20
2.Bosnja 6 1 2 16-7 19
3.Rumania 3 4 2 12-8 13
4. Bjellorusia 3 4 3 8-7 13
5.Shqipëria 2 2 5 6-13 8
6.Luksemburgu1 1 8 3-21 4
Ndeshjet e luajtura
Rumani-Shqipëri 1-1
Luksemburg-Bosnje 0-3
Francë-Bjellorusi 0-1
Bjellorusi-Rumani 0-0
Shqipëri-Luksemburg 1-0
Bosnje-Francë 0-2
Luksemburg-Bjellorusi 0-0
Shqipëri-Bosnje 1-1
Francë-Rumani 2-0
Bjellorusi Shqipëri 2-0
Francë-Luksemburg 2-0
Luksemburg-Francë 0-2
Luksemburg-Shqipëri 1-0
Bosnje-Bjellorusi 1-0
Rumani-Francë 0-0
Rumani-Bjellorusi 2-2
Bosnje-Luksemburg 5-0
Francë-Shqipëri 3-0
Ndeshjet e mbetura
11 tetor 2011
Shqipëri-Rumani
Francë-Bosnje