E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odise Roshi: Më pengon vetëm gjuha gjermane, çdo gjë tjetër është ok

20-vjeçari i Këlnit do të luajë titullar ndaj Francës: Shpresoj të bëj më të mirën me kombëtaren

Trajneri Josip Kuzhe e ka vendosur: Odise Roshi do të luajë titullar ndaj Francës, jo në krahun e djathtë, ku jemi mësuar ta shikojmë zakonisht, por në të majtë të mesfushës. Nuk e di nëse do të luajë titullar, megjithëse trajneri dhe stafi teknik më kanë thënë se mund të jem qysh nga minuta e parë, shprehet me sinqeritetin e një 20-vjeçari ish-futbollisti i Flamurtarit. Do të jem në krahun e majtë. Unë kam luajtur në të dy pozicionet, ndërsa te Këlni edhe si sulmues.

Gjuha gjermane Transferimi i Roshit nga Flamurtari në Bundesligë te Këlni u prit me shumë entuziazëm nga opinioni sportive në vend. Sepse kapërcimi ishte tepër cilësor. Asnjë futbollist i kampionatit shqiptar nuk ka mundur më parë të jetë direkt pjesë e elitës së futbollit gjerman.

Roshi është aktivizuar me kohë të kufizuar në disa ndeshje dhe shpjegon se problemi kryesor mbetet gjuha gjermane. Gjithçka është ok, kushtet janë shumë të mira nuk kam asnjë problem sa i përket cilësive të mia. Problemi i vetëm mbetet gjuha gjermane, pasi e kam të vështirë të komunikoj dhe të kuptoj gjithçka thuhet për anën taktike. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk kam luajtur shumë.

Madje vetë trajneri ma ka shpjeguar situatën dhe se përgjegjësitë për gjithçka ndodh në fushë i merr ai. Jam future në një kurs intensiv të gjermanishtes që të arrij të kuptoj gjithçka thuhet në stërvitje dhe në ndeshje, shpjegon Roshi.

Ndryshimi Roshi shpjegon se ndryshimi mes futbollit shqiptar dhe atij gjerman nuk lidhte vetëm me kushtet dhe infrastrukturën. Për kushtet është e kotë të flas, kuptohet se ndryshimet janë të mëdha.

Por më ka çuditur një fakt tjetër: te Flamurtari bënim stërvitje më të fortë, me ngarkesë më të lartë, ndërsa trajneri i Këlnit, Solbaken, i kushton shumë rëndësi lojës dhe ushtrimeve me top. Stërvitja te Këlni konsiston te puna me topin. Këtë ia kam thënë edhe Ervin Skelës, i cili është çuditur, ka shpjeguar më tej Roshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›