Kuzhe: Rezultatet e miqësoreve pa rëndësi

(ALBANIA SPORT) - Gjatë grumbullimit tradicional në Antalia të Turqisë, trajneri Josip Kuzhe thirri disa nga lojtarët më të mirë që aktivizohen me skuadra të ndryshme të Superligës shqiptare, por gjithsesi në përballjet me skuadrat turke, futbollistët nuk arritën të shfaqin vlerat e tyre, të paktën me rezultatet që ata morrën: një barazim 2-2 me Sitsporin e Kategorisë së Katërt dhe një humbje 2-1 me Adanasporin e Kategorisë së Dytë, çka mund të nënkuptoj se dhe niveli i kampionati tonë (i 65-ti në botë) është shumë poshtë atij turk (i 10-ti në planet).
Trajneri Kuzhe iu shmang pyetjes duke dhënë një përgjigje diplomatike. “Shikoni, unë nuk mund të them se rezultati i atyre ndeshjeve ishte i rendësishëm, por mund të theksoj edhe se rezultati është gjithmonë i rëndësishëm. Nuk dua të dredhoj në këtë gjë, apo të bëj diçka të tillë. Gjithsesi, unë i kam harruar ato menjëherë. Kur i kam analizuar të dyja ndeshjet, pjesa e parë kundër Adanasporit (humbëm 2-0, i gjithë takimi shkoi 2-1) ishte e tmerrshme. Lojtarët nuk u lidhën mirë. Ishte një ndeshje kundër një top-ekipi, më të vërtetë kështu. Kundër një ekipi të mirë, të organizuar. Mund të them, se nëse do të luanim pas shtatë ditësh ne do të fitonim me lehtësi ndaj këtij ekipi (Adanasporit).
Gjithsesi, në Antalia ne nuk ishim një ekip, dhe unë nuk e pashë si të tillë. Në Antalia programi ishte individual për çdo lojtar, në lidhje me përqendrimin, stërvitjen. Rezultati nuk ishte i rëndësishëm për mua, por ndoshta për ju (gazetarët), se si të vinit sot përballë meje e të më bënit pyetje. Ok, ne barazuam dhe humbëm, por në të vërtetë unë nuk i kujtoj rezultatet. Isha i fokusuar vetëm në lojën e lojtarëve individualë, pasi dëshiroj të marrë lojtarë nga ky grup në ekipin e parë.