Kuzhe: “Shqipëria, e pasur me talente”

(ALBANIA SPORT) – “Dua ta ripërsëris, Shqipëria ka talente”. Ky është konkluzioni i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, pas grumbullimit një javor në Antalia të Turqisë, ku kroati pati në dispozicion një grup prej njëzet lojtarësh, kryesisht nga kampionati shqiptar dhe zhvilloi dy ndeshje miqësore.
Trajneri i dytë kroat që ka drejtuar Shqipërinë, pas Oto Bariçit, këmbënguli se lojtarët që ai pati në dispozicion nëse duan të jenë kompetitivë duhet të punojnë shumë dhe në aspektin individual.
“Kohën që shpenzuam në Antalia mund ta konsideroj një fillim për këta lojtarë të rinj, por dhe për mënyrën se si t’i përzgjedhim ata. Unë dëshiroj të vazhdoj të punoj më këta lojtarë. Bëmë disa analiza dhe ndërtuam edhe programin për tu dhënë edhe atë që ndoshta duhet të bëjnë në stërvitjet individuale, por pa ndërhyrë në punën e klubeve. Së bashku edhe me ndihmësit e mi (Mustedenagiç e Bozhiqi) do t’i ndjekim ata në vazhdimësi.
“Dëshira ime është që ata të punojnë shumë. Shqipëria ka talente natyrale, por e rëndësishme është puna individuale, me një shkollë të mirë teknike. Klubet duhet të punojnë më shumë. Përgjithësisht mungesat vijnë edhe nga mënyrat ku ata janë stërvitur apo kushteve stërvitore që ata kanë pasur. Gjatë javës ekipet përgatiten për ndeshjet e kampionatit dhe trajnerët nuk kanë kohë për stërvitje individuale me lojtarët.
“Tashmë këtyre u shtohen edhe lehtësitë e krijuara nga federata. Jam më të vërtetë i kënaqur që Shqipëria tani ka fusha me bar sintetik (12 fusha), çka besoj se do të përmirësojë edhe futbollin shqiptar.
“Ne kemi disa grupe futbollistësh, që do t’i ndjekim me kujdes. Disa prej tyre si Vila, Bakaj e Lila janë grumbulluar edhe më parë me kombëtaren, por këtë radhë m’u dha mundësia t’i vëzhgoj më gjatë. Do të thosha fjalë pozitive për disa lojtarë sulmues si Bala, Shkurtaj dhe Roshi. Potencial për kombëtaren është edhe Cikalleshi, por ai duhet të punojë për të arritur në nivelet e kërkuara.
Më duhet të përmend edhe një lojtar tjetër, me të cilin jam vërtet i kënaqur. Ky është (Emiljano) Veliaj (mesfushori i Laçit). Është i talentuar, lojtar i mirë, por dhe ai duhet të punojë shumë në aspektin fizik, kjo edhe për shkak të dëmtimit të tij të mëparshëm në shpatull. Ai është një kandidat potencial për skuadrën A’.