Kuzhe mbledh vetëm 13 lojtarë: Por, do vijnë dhe 6 të tjerë
TIRANE- Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar një seancë stërvitore përpara nisjes për në Argjentinë, ku të hënën në mbrëmje do të përballet me skuadrën e Lionel Mesit. Trajneri Josip Kuzhe ka patur në dispozicion një skuadër të përgjysmuar në krahasim me atë që luajti me Bosnje-Hercegovinën më 7 qershor dhe kjo për shkak të refuzimit të një pjese të madhe të yjeve të ekipit përfaqësues për të luajtur në këtë takim. Në stërvitjen e së enjtes, në skuadër kanë qenë vetëm 13 vetë, një numër i pamundur për të luajtur një ndeshje. Në dispozicion të Kuzhe kanë qenë vetëm portierët Beqaj e Hidi, më pas Muzaka, Bulku, Vrapi, Bakaj, Lila, Hyka, Vajushi, Bicaj, Arapi, Gilman Lika dhe Emiljano Vila. Por Kuzhe premtoi se kombëtares do t’i bashkohen edhe Kapllani, Osmani, Veliu, Vangjeli, Allmuça dhe Sulaj, ky i fundit një futbollist i panjohur. “Jam i gëzuar, por edhe i frikësuar njëkohësisht, - deklaroi Kuzhe pas stërvitjes. - E prisja që një pjesë e lojtarëve të refuzonin miqësoren me Argjentinën, pasi nuk është datë zyrtare e FIFA-s, por nuk e mendoja kaq të vështirë, ndoshta edhe për shkak se periudha nuk është optimale”, ka deklaruar Kuzhe pas seancës stërvitore të ditës së enjte. Futbollistë si Lorik Cana, Erjon Bogdani, Ervin Skela, Altin Lala, Hamdi Salihi, Debatik Curri apo Armend Dallku, nuk do të jenë në avionin e ekipit kombëtar që do të udhëtojë të premten drejt Amerikës së Jugut. Disa prej tyre kanë deklaruar se kanë impenjime, disa se janë në merkato dhe disa se nuk i lënë klubet. I pyetur sesa të vërteta janë këto justifikime, Kuzhe është ndjerë në siklet, duke thënë se nuk mund t’i paragjykojë lojtarët, pasi ata nuk kanë munguar asnjëherë në miqësoret e zhvilluara në datat zyrtare. Shqipëria do të luajë të hënën në orën 23.10 me orën shqiptare ndaj Argjentinës, në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, në atë që konsiderohet si miqësorja më e rëndësishme në historinë e kombëtares.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)