E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kuzhe, nostalgji për kombëtaren shqiptare"

TIRANE-Xhemal Mustedan Agiç, trajneri i kombëtares U17, ndodhet në Shqipëri për zhvillimin e një grumbullimi disa ditor me lojtarë nga e gjithë Evropa. Boshnjaku thotë se kërkon të ndërtojë një superekip për fazën e dytë të kampionatit europian, ndërkohë që ftesat kanë shkuar anembanë kontinentit.

"Dua të shoh të gjithë ata të ditëlindjes 1996, me qëllim që të marr disa elementë të kësaj moshe, për të ndërtuar një skuadër shumë të fortë, - thotë Mustedanagiç, i pranishëm në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. - Do të vijnë shumë talente, por kemi patur edhe mungesa, si Bunjaku, që nuk është lejuar nga klubi të vijë. Por, jam i kënaqur nga interesimi", shton ai. Tekniku boshnjak flet edhe për Josip Kuzhenë dhe ndarjen me të pas dy vjet e gjysmë punë në Shqipëri, ndërsa zbulon edhe disa prapaskena merkatoje. "Kuzhe tani ndodhet në Antalia me ekipin e tij kinez, për zhvillimin e fazës përgatitore, - thotë "Xhemo". - Ka shumë nostalgji për Shqipërinë, ashtu siç kam edhe unë për të. Do të preferoja të ishte këtu e të vazhdonte punën, por futbolli është kështu", shton ai. Mustedanagiç tregon edhe tratativën e Josip Kuzhe me drejtuesit e Rapidit të Vjenës, për të marrë Hamdi Salihin. Një operacion, që sipas tij, u prish nga klubi austriak. "Kuzhe e pëlqente shumë dhe donte ta merrte në Kinë. Dukeshin shumë pranë akordit, por mesa duket Rapidi kërkoi më shumë nga sa ofronte klubi kinez i Kuzhes. Ai është Gerd Myleri i Shqipërisë, një lojtar që ka shumë nuhatje para portës, prandaj edhe Kuzhe kërkonte ta merrte", thotë trajneri i U17.

Mustedanagiç ndërkohë, pranon se largimi i Salihit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të bëjë që ai ta ketë më të vështirë për të luajtur në kombëtare. "Udhëtimet e shumta apo largësia, e bëjnë të vështirë këtë. Por, në Amerikë tashmë luajnë shumë yje, kampionati është shumë i fortë dhe jam i bindur se ai atje do të kalojë shumë mirë dhe them se ka për t'u rritur si futbollist", shprehet tekniku i U17.

(d.b/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›