E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Ndroqi, “bosi” i ri i peqinasve



Presidenti i RTV “Ora News” dhe kompanisë “Yldon Sh.P.K”, Ylli Ndroqi, që nga dita e djeshme është “bosi” i peqinasve, pasi ka marrë drejtimin financiar të Shkumbinit. Pas marrëveshjes së arritur me drejtuesit e Bashkisë së Peqinit, për më tepër me kryebashkiakun Ilir Rrushi, Ndroqi do të ketë 85% të aksioneve; kurse Bashkia e Peqinit, e cila ka emrin e klubit, si dhe administron stadiumin, do të ketë 15% të tyre. Marrëveshja është nënshkruar nga zoti Ylli Ndroqi dhe kreu i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rusha. Pas nënshkrimit të saj, Ndroqi garantoi se shumë shpejt Peqini do të zërë vendin e parë në sportin shqiptar. “Premtoj që Shkumbini do jetë kampion për Shqipërinë. Do bëj organizim dhe investim të madh për Peqinin, sepse e meriton të paktën për atë që ka dhënë në futbolli shqiptar”, tha ai. Dhe Ndroqi, pas kënaqësisë që u ka dhënë sportdashësve shqiptarë me boksierin Kreshnik Qato, i cili është kampion bote dhe Evrope në versionin WBC, tashmë merr përsipër dhe sponsorizimin në futboll. Në fakt, Shkumbini, që ka 16 vjet që militon në Kategorinë Superiore, teksa ka ardhur për herë të parë më 1994-ën, është ndër ato skuadra që nuk ka zbritur asnjëherë në një ligë më poshtë. Ndaj dhe Ndroqi e ka vlerësuar së tepërmi këtë fakt, teksa ka pranuar që të jetë presidenti i ardhshëm i peqinasve. Prezantimi i presidentit të ri të Shkumbinit, Ylli Ndroqit, do të bëhet nesër në Peqin. Dhe pas zyrtarizimit të tij pritet të nisë dhe puna më e madhe për ndërtimin e skuadrës, teksa pritet të ketë një merkato të fuqishme. Sepse tashmë me presidentin Ndroqi edhe objektivat e Shkumbinit do të jenë më të mëdha. Që do të thotë se do të synohet jo vetëm pjesëmarrja në Evropë, por dhe kërkesa për të fituar trofe kombëtarë për herë të parë në historinë e futbollit peqinas. Dhe kjo ishte zgjidhja më e mirë për Shkumbinin, ndonëse drejtuesit janë përpjekur shumë për të gjetur një sponsor serioz pas largimit të dyshes Ismaili e Dyrmishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›