E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk firmosën për shembjen e objektit, hiqen inspektorët



SARANDE/ SHPRESA DINE

Nuk firmosën për shembjen e një objekti pa leje në mes të Sarandës, shkarkohen 4 inspektorë, ndërsa drejtori e juristi japin dorëheqjen. Furtuna në Inspektoratin e Ndërtimit u shënua dje, pas urdhrit të drejtorit të përgjithshëm, Gjergj Bojaxhi. Burime të mirëinformuara thanë se drejtori rajonal i Inspektoratit të Ndërtimit, Edmond çipa dhe juristi i kësaj zyre i kanë kërkuar drejtorit të përgjithshëm, Gjergj Bojaxhi, dorëheqjen nga detyra. Ndonëse nuk bëhet i ditur zyrtarisht motivi, mendohet se ka lidhje me çështjen për të cilën janë shkarkuar tashmë 4 inspektorë. “Shkak për shkarkimin e inspektorëve të policisë ndërtimore të Sarandës është bërë një objekt i ngritur në qendër të qytetit, i vërtetuar i paligjshëm. Jo vetëm kaq, por ky është edhe objekt i ndërtuar mbi tokën e një tjetri dhe inspektorët e shkarkuar tashmë, nuk kanë pranuar të firmosin për prishjen e tij objekti”, pohojnë burimet. Objekti për të cilin nuk është firmosur prej inspektorëve të policisë ndërtimore të Sarandës dhe që u bë edhe shkak për largimin e tyre nga detyra ndodhet në qendër të qytetit të Sarandës, në rrugën e parë të saj. Bëhet fjalë për një godinë trekatëshe, ndërtuar që në vitin 1997, nga ku prej tij pronarët e objektit prej vitesh vjelin qira, nga një bar restorant në katin e parë, si dhe nga zyrat e INSIGU-t në katin e dytë dhe të tretë. Sipas burimeve, objekti ka qenë parashikuar për prishje para pak muajsh, por asnjë nuk ka firmosur për këtë rast. Masa mësohet se ka qenë administrative, ndërsa nuk dihet se si do të procedohet më tej me të. Lista për objektet pa leje ishte dorëzuar muaj më parë dhe mendohej se godina 3-katëshe do të ishte pjesë e aksionit të shembjes së kryer pak kohë më parë në Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›