Ky është ushtari amerikan që vrau 16 civilë në Afganistan
Ushtari amerikan që vrau 16 afganë të pafajshëm, mes tyre nëntë fëmijë që po flinin, është identifikuar si Robert Bales.
38 vjeçari, që ka mbërritur në një qendër paraburgimi në Kansas të premten në mbrëmje, ishte në Afganistan që prej dhjetorit, pavarësisht se u kishte thënë familjarëve se nuk donte të kthehej për herë të katërt në detyrë.
Bales, i cili kishte 11 vite në detyrë, thuhej se vuante nga stresi që vinte për shkak të dërgimit në Afganistan, problemeve martesore, por edhe tronditjes që kishte pësuar një ditë përpara sulmit pasi një shoku të tij i ishte hedhur në erë këmba.
Babai i dy fëmijëve mendohet se ishte i pirë në momentin kur ndërmori sulmin. Ai po ashtu vuante nga një plagë që i kishte lënë pasoja në tru, por që nuk ishte cilësuar aq e rëndë sa ta linte atë jashtë shërbimit ushtarak.
Ai kishte marrë pjesë në disa stërvitje që kishin në thelb të përmirësonin marrëdhëniet mes ushtrisë amerikane dhe civilëve afganë.
Familja e tij, përfshi fëmijët 3 dhe 4 vjeç, janë vendosur nën mbrojtje.
Ushtria thotë se ai është vendosur në një qeli të veten.
Fqinjët e tij thonë se akoma nuk e besojnë që ai ka bërë diçka të tillë.
Zyrtarët ushtarakë thanë se ai ishte stërvitur edhe si snajper.
Ushtari mund të dënohet me vdekje për këtë krim.
Nëntë nga 16 personat që vrau Bales ishin fëmijë dhe tre gra.
Fshatarët thanë se ai kishte hyrë shtëpi më shtëpi në mes të natës, duke hapur zjarr mbi familjet që flinin dhe më pas duke djegur disa nga trupat. Disa banorë kanë thënë se dëgjuan të shtëna në drejtime të ndryshme, por NATO insiston se ai veproi i vetëm.


