E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ, Dule: Të hapur për partinë e Topit

Share

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka thënë për Albanian Screen se ata janë të hapur për bashkëpunim me partinë e re që do krijohet nga Bamir Topi. Nëse poli i qendrës do të krijojë hapësira, të cilat do tu shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veçse ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht që PBDNJ nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim, tha Dule.

Ndërkohë duke folur për GSH, ai tha se marrëveshja që ata kishin me PS ka përfunduar në vitin 2009, njësoj siç kanë përfunduar edhe marrëveshjet e forcave të tjera opozitare. Dule shtoi se ai gjithsesi është në opozitë konstante me qeverinë. Kreu i PBDNJ e ka quajtur një nismë folkloristike lëvizjen e Kreshnik Spahiut, por ka vlerësuar profilin e Bamir Topit.

Në kundërshtim me iniciativa partiformuese që u vunë re kohët e fundit dhe të cilat më shumë kanë të bëjnë me nisma folkloristike sesa politike, ne shpresojmë se nisma e zotit Topi do të jetë një vazhdimësi e vetë karrierës së zotit Topi, serioze dhe sistematike, kontribuuese dhe me vlera, parime dhe ide, e domosdoshme në situatën aktuale politike që po jeton vendi. Por të gjitha këto mbeten për tu parë me tu shndërruar në materie kjo nismë, tha Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›