Ky mision identiteti...
Dhurata SHEHRI
Në historinë e çdo letërsie është i zakonshëm afirmimi i shkrimtarëve të rinj nëpërmjet të vjetërve, siç është i njohur edhe procedimi i kundërt, afirmimi nëpërmjet mohimit të paraardhësve. Në këtë pikë, shtysa e Koliqit për të “formalizuar” dallimet mes dy Shkollave letrare shkodrane, duhet kërkuar përtej zellit të historianit të letërsisë. E më së pari mund të kërkohet në nevojën e të qenit “ndryshe” të një autori, i cili, mes këtyre dy shkollave, do të zgjedhë pozicionin e ndërmjetëm; e mes romantizmit të Fishtës dhe neoklasicizmit e simbolizmit të Mjedës do të zgjedhë simbolizmin, por vetëm si poetikë stili.
*
Është e natyrshme që simbolizmi si rrymë letrare do të mprihte edhe më tej shfaqjen postromantike të neoklasicizmit, duke mos i humbur edhe kjo rrymë disa nga tiparet e postromantizmit. Nuk duhet harruar dhe pozicioni i simbolizmit si një kundërvënie ndaj kanonizimit pozitivist të romantizmit, kundërvënie që, sipas Theodor Adorno-s (Teoria estetica, Torino 1995), e bën të bartë në vetvete tipare të romantizmit. Parë nga ky këndvështrim, simbolizmi nuk duhet kuptuar si e mesmja e artë mes romantizmit e neoklasicizmit, por si këndi i tretë i një trekëndëshi, baza e të cilit përgatiti shfaqjet moderne të letërsisë evropiane.
Mënyra më e mirë për të konkretizuar fizionominë e dy Shkollave letrare shkodrane, që kanë pasur një peshë të konsiderueshme në letërsinë shqipe të fillim shekullit XX, do të ishte individualizimi i dallimeve mes poetikave të dy përfaqësuesve më të shquar të tyre, Fishta e Mjeda, çka është sintetizuar më së miri nga Giuseppe Schirò Junior në Storia della letteratura albanese: “Për të mundur kulçedrën, përbindëshin e tmerrshëm të zhdukjes, Fishta (te Lahuta e Malcis, Kënga XVI) do të thërrasë dragojtë e gjallë, ndërsa Mjeda (Scodra, VI-VII) do të evokojë Polifemin; shprehje popullore dhe tetërrokshin popullor do të përdorë Fishta për tërë epikën e tij, ndërsa shprehje të larta e edenkasilabin që ka jehonat e trimetrit të lashtë jambik, do të adaptojë Mjeda në evokacionet e tij klasike.” Siç shihet edhe nga citati, G. Schirò Junior ka kundërvënë idiomatikën e Fishtës romantik me paradigmatikën e fjalës te neoklasiku Mjeda.
Meqë në këtë kapitull marrim në shqyrtim poetikën e Koliqit dhe marrëdhëniet e saj me krijimtarinë letrare të tij, në këtë rast me poetikën e dy shkollave letrare shkodrane, le të citojmë pohimet e vetë Koliqit lidhur me këto dy shkolla, pasi është pikërisht ai që formalizon i pari karakteristikat dhe dallimet mes tyre. Kështu pra, në studimin e tij të gjerë “Dy shkollat letrare shkodrane”, ai shprehet: “Shkolla e Jezuitvet solli në letërsi kombtare dishiplinën e artit, kultin e trajtës, kërkesën e fjalëve të rralla e të çmueshme ndër teksta të vjetër dhe në fjalorë. Në zgjedhjen e përmbajtjes u frymëzua nga parime të nalta qytetare dhe nga idealet e bukurìs klasike. Shkolla e Françeskâjvet i a hapi dyert e letërsìs s’onë visarit shprehës populluer, i fali tharmin krenìs shqiptare, gjuhën e ndjesive burrnore e fisnike të maleve. Landën letrare e nxori nga jeta e Shqipnis, sidomos nga ajo e popullit mâ të thjeshtë e mâ pak të prekun nga influkset e hueja.” (E. Koliqi, Vepra, fq. 62)
*
Poetika e Koliqit zhvillohet mes romantizmit fishtian dhe klasicizmit e simbolizmit mjedian. Ajo, si ndërmjetëse mes romantizmit të françeskanëve dhe klasicizmit e simbolizmit të jezuitëve duket që te mënyra, e sidomos këtu, te mënyra e trajtimit të problemeve të gjuhës. Në të dy shkollat gjuha është element qendror i poetikës apo programeve të shpallura poetike, aq më shumë te dy përfaqësuesit kryesorë, Fishta e Mjeda. Ndërsa te françeskanët, dhe te Fishta, qasja ndaj gjuhës është më shumë romantike, si një mënyrë identifikimi etnik (mjafton të kujtojmë poezitë romantike mbi gjuhën të Fishtës, Frashërit e një aradhe të gjatë të shkrimtarëve të Rilindjes; edhe vetë Koliqi e hap vëllimin e tij të poezive “Gjurmat e stinëve” me një poezi për gjuhën), te jezuitët dhe te Mjeda “poetika e gjuhës” i humbet konatacionet romantike, duke u shndërruar në një identifikues të shprehjes artistike.
“Kemi thânë se letërsija âsht pasqyra e shpirit të nji populli. Asht njiherit edhe mjet nxitës e zdritës perparimi. Sa mâ shum pasunohet e hollohet në lavrim ligjërimi i nji populli, aq mâ i pasun e i ndieshëm bâhet shpirti i tij. Gjuha âsht vegla e mrekullueshme e cila gërmon, zgjânon, qet në shesh vetìt e mshefta qi Perendija i dhuroi çdo kolektiviteti njerëzuer. Ajo zhdryn e çelë mysteret qi flêjnë në fundin primigjen të njeriut edhe te bashkësìs së njerzvet.”
Siç duket qartazi edhe në këtë pohim programatik të Koliqit, pozicioni i tij mbetet ai i ndërmjetësimit mes dy “varianteve” të konceptimit të letërsisë së dy shkollave letrare e dy përfaqësuesve më në zë të tyre, duke mbetur “gjuha” arketip i kësaj poetike ndërmjetësimi. I pari, Fishta, do ta “shpëtojë” Koliqin nga poetika e artit për art e dekadentizmit, duke gjallëruar tematikën e tij me problemet e popullit që mbeten një çështje e dorës së parë në veprën e tij. Gjejmë konfirmim në vetë fjalët e Koliqit: “Prandej nji shkrimtar qi përdor gjuhën âmtare si mjet shprehjeje, deshti a s’deshti, merr pjesë në bashkëjetesën e gjindjes e rodit t’onë edhe fundon rrâjët e artit të vet në humusin e jetës s’asaj gjindje (...) Pasi (faktori) etnik lot rol të madh në njeriun dhe në popullin prej nga ky rrjedh. Lidhjet landore e shpirtnore me tokë ku u lindi, me rreth prej nga doli, nuk shkëputen as shlyhen lehtazi.” E më tutje: “Mos u gënje nga sllogani art dekadent, arti për art. Këtu flasim për vepra qi paraqesin nji përmbajtje të shëndoshë, fisnikuese të shpirtit, me nji bukuri shprehëse në naltsi të asaj përbajtje.”
...Kjo prirje e poetikës së Koliqit është lehtësisht e dallueshme nga ajo prirje e poetikës simboliste, ku poeti i shmanget funksionit të tij social e moral. Këto karakteristika, përkundrazi, janë të natyrshme për poetikën romantike e pozitiviste, çka e afron Koliqin me romanticizmin e tradicionalizmin e Fishtës. Ai arrin deri aty, sa të teorizojë një simbolizëm shqiptar krejt origjinal: “Kjo lëvizje letrare pat si teorikë e nxitësa ndër të tjerë Branko Merxhanin dhe Vangjel Koçën, të cilët ftojshin shkrimtarët me zgjânue tematikën tue sjellë soditjen nga problemet e gjalla të jetës shqiptare. Ajo rrymbë letare me at stil të ri, sot nga nji palë, me qëllim përbuzës dhe dënues, quhet dekadente... Pasqyrat e Narçizit i përkasin kohës kur stili i ashtuqujtun “dekadent” lëshoi rrajë në Shqipni.”
*
Në veprën e Koliqit nuk gjejmë disa nga parimet themelore të poetikës simboliste: as parapëlqimin për përvojat e rralla, të holla, artificiale, të ndaluara; as rikuperimin e një ideali të zvjerdhur bukurie; as evokimin e një Orienti misterioz e sensual; as përbuzjen për idetë humaniste e socialiste, të kuptuara shpeshherë si refuzim të pozitivizmit borgjez, as ekzaltimin e iracionales; as shijen për ezoteriken e okulten dhe ferrin e basifondeve; as ripropozimin e dandizmit bodlerian si eversion e privilegj shpirtëror. Një element themelor, që mungon në poetikën e Koliqit, është asocialiteti, sipas të cilit individi jeton brenda subjektivizmit të vet, izolohet me dëshirë nga shoqëria dhe është i kënaqur me këtë vetizolim. Njeriu simbolist mbyllet në vetvete, analizohet e na jep një poezi të gjendjeve të tij shpirtërore e të analizës së vet shpirtërore. Qendra e poezisë së tij nuk janë të tjerët, nuk është shoqëria, por vetëm vetë poeti, i cili analizon instinktet e tij të çdo lloj natyre.
Nëse do të tentonim të gjenim gjurmë të këtij tipari simbolist të Koliqit, më shumë se kudo ato mund të gjenden te varianti i parë i “Pasqyrave të Narçizit”, e pikërisht te dy pjesët e hequra, ndryshuara – sipas Koliqit, në botimin e dytë... Ajo çfarë Koliqi mori nga simbolistët, çka bie dakord edhe me leksionet e Mjedës, janë mësimet për rinovimin e gjuhës e të stilit. (Ky përfundim i yni, që është mbërritur nëpërmjet analizash të imta stilistikore, duket se është i afërt me atë të Sabri Hamitit.)
“Ndre Mjeda na kishte mësue shortin qi ka fjala kur zgjedhet me kujdes. Ai dinte të pajtojë në shkrim të vetin mënyrat e shprehjes stilistike ma moderne (asokohe çmohej shortija kumbore e lyrikës symboliste dhe përsosja e ftofët por skalitëse e vargut parnasian...” Kjo duket të jetë një deklaratë e rastësishme e Koliqit. Vëzhgimet e tij shumë të vëmendshme e të holla për të kuptuar detajet e brendshme të një modernizmi të moderuar dhe të raporteve që ky i fundit, sipas Koliqit, kishte me simbolizmin, na vërtetojnë një shqetësim të kahershëm të tij për të kuptuar se ç’vend do të zinte ai vetë dhe pasuesit e këtij grupimi në letërsinë shqipe të asaj periudhe.
*
“Pasqyrat e Narçizit” mund t’i trajtojmë jo vetëm si kulmin e krijimtarisë letrare të Koliqit, por edhe si kërthizën e poetikës së tij, duke e parë këtë vepër si një poetikë në veprim. Për këtë arsye, marrëdhëniet e poetikës së Koliqit me poetikën simboliste (praninë e frymës simboliste në krijimtarinë e Koliqit e pranon edhe Rexhep Ismaili) në këtë vepër, duke e ravijëzuar si një ndërmjetësim midis shkollave letrare shkodrane e midis rrymës së tradicionalistëve dhe modernistëve revolucionarë, të japin dorë edhe për ta vendosur krijimtarinë e këtij autori në një rrafsh më të gjerë në letërsinë shqipe të asaj periudhe.
Prania e njëherëshme në këtë vepër e një programi estetik, që është progam sa i zbatuar aq edhe program i shpallur (i dhënë fiksionalisht për lexim), na çon në gjurmët e tipareve simboliste e dekadentiste në poetikën e Koliqit. Pikërisht dy zërat modelues të “Pasqyrave të Narçizit” përkojnë me këtë praxis të programit poetik të Koliqit, njëri duke e shpallur e tjetri duke e zbatuar këtë program. Zgjedhja e poezisë si vendi par exellance ku mund të shpallet mënyra e të kuptuarit të të qenit poet e të të krijuarit poezi, njihet si procedim i parapëlqyer prej poetëve simbolistë, çka ndodhi si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e humbjes së identitetit të shkrimtarit simbolist. Në momentin kur poetët nuk e gjetën më vendin e tyre në gjirin e shoqërisë, atyre u lindi nevoja t’i sqarojnë vetes dhe të tjerëve kuptimin e punës së tyre. Kjo gjë për Koliqin kthehet në një mision. “Pasqyrat e Narçizit”, e më së pari ndryshimet mes dy varianteve të saj, para se të jenë një prozë e mirëfilltë simboliste, para se të ndërmendësojnë vendin e Koliqit në letrat shqipe, mes dy shkollave letrare shkodrane, mes tradicionalistëve e modernistëve, do të krijojnë identitetin e tij, duke përfshirë edhe atë letrar. Kjo është përgjigja më e qartë që na vjen nga teksti i Koliqit. (Nga libri “Koliqi mes malit dhe detit”.)
17 Dhjetor 2007