E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qeveria rrezikon trashëgiminë kulturore

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 11:16

Qeveria e PDK-së po e shfaq haptas tendencën që Kosovën ta zhveshë nga kujtesa historike dhe nga trashëgimia e saj kulturore, thotë partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Në një komunikatë të lëshuar nga LDK, thuhet se, Qeveria pasi krijoi komisione politike në MASHT për zhveshjen nga kujtesa historike, tash ekipi i PDK-së në MKRS po këmbëngul që Kosovën ta zhveshë edhe nga trashëgimia e saj kulturore.

“Duke shmangur trajtimin institucional të trashëgimisë kulturore, me një Këshill Nacional për Trashëgiminë, gjysmak në numër dhe jofunksional në ushtrimin e përgjegjësive, si dhe pa një strategji institucionale për evidentimin, ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë kulturore, Ministria po e dëmton rëndë historinë kulturore të vendit”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, kjo ministri, ka pranuar botërisht se jo vetëm që nuk di të hartojë politika nacionale për ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, por nuk e di as sa objekte të trashëgimisë kulturore të Kosovës duhet mbrojtur me ligj dhe për cilat duhet kujdesur shteti.

“LDK-ja dëshiron të tërheq vëmendjen e elitave kulturore se mungesa e një vizioni për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, krahas nënshtrimit të turpshëm për historinë nacionale, përbën aktin e dytë të Qeverisë Thaçi për heqjen e qëllimshme dorë nga tradita kulturore dhe nga kujtesa e saj historike. Identifikimi që shkrimtari Ismail Kadare u bën rrënuesve të traditës kulturore si ‘rimohues të shqiptarizmës’ dhe kohës së tyre si ‘gjashtëminutësh’ brenda të cilit ata arrijnë sa t’i heqin ikonat kulturore nga institucionet nacionale, është thirrja e skajshme e një artisti rrezikun që i sjell kulturës kjo strukturë e instluar në Ministrinë e Kulturës”, thuhet në komunikatën e leshura të hënën për media nga LDK.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›