E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stërvinat e luftës

Helveri (Lirak Çelaj) me lojë tabletash, do ta shuajë ëndrrën e tij për një shtëpi jete për të mos vdekur si stërvinë lufte. Ai vjen si simbol, njëherësh sinonim i regjimit nazifashist brendapërbrenda shpirtit gjerman, respektivisht si pasojë e një regjimi të sëmurë historik, i cili sistem, nga një kontekst analogjik do të bartet natyrshëm edhe në rrafshin ballkanik. Nga Naser Shatrolli më 19 shtator 2011 në ora 11:59

Koncepti fabular dhe ideor: nëpërmes dy personazheve historike do të lansohet ideja se nuk do të kishte kuptim e sotmja njerëzore nëse do të ndërtohej me medikamente nga një kontekst ideor. Helveri do ta ndërtojë shtëpinë e tij (kopshtin, lisin, diellin, vaporin), me ilaçe shprese.

Të gjitha këto, në formë loje, të dizajnuara nga nëna e tij Klara (Safete Rogova), si dhe një lule përjetësie që do t’ia dhurojë ajo për varrin e tij përjetësor. Klara (e ëma), do ta konceptojë vdekjen e birit të birësuar, nga dora e vet, si vdekje më njerëzore sesa nga dora e kriminelit, që viktimat (të sëmurët psikik) i determinonte si stërvina rruge. Në këtë kuptim, ajo do ta shtyjë të birin ta vrasë veten me tableta, që kanë shije ëmbëlsire, por të hidhura përjetësisht në kuptimin ideo-filozofik. Ato tableta me ngjyra ishin e vetmja mundësi për ta menduar ëndrrën për jetë, jashtë atyre mureve të kryqëzuara mbi udhëkryqin historik.

Nëna (gjeneza) tenton t’i shërojë gabimet e saj rinore (martesore) karshi vajzës së saj të vdekur, ndoshta për fajin e saj. Gilberi (simbol i së keqes historike) njeriun do ta perceptojë me epitetin stërvinë. Ai do të djegë gjithçka që lidhet me njeriun dhe me besimin e tij. Edhe kishën (Zotin) do ta djegë. Tabletat nga konteksti dramaturgjik dalin të jenë tendencë shërimi të asaj dhe kësaj varre historike dhe politike. Është shfaqje që ndërtohet pa shkaktarët, megjithëse, krijohet iluzion besueshmërie se dhuna e dhunuesit është më e fuqishme sesa prezenca reale e personazheve të gjalla në skenë.

Pra, nga barbaria e Gilberit (Hitlerit) nga brenda, në brendinë (psikologjinë) e personazheve të gjalla, do të zihet e ushqehet e keqja e tij. Kjo do të quhej dramaturgji e përmasave, kur një i sëmurë mental ushtron dhunë mbi gruan që e ushqen me jetë. Pra, Helveri duke e parë modelin e dhunës karshi hendikepëve në rrugë, ai do të besojë se stërvitjet ushtarake që do t’ia mësojë nënës së tij janë mbase normale për moshën e saj.

Klara dhe Helveri si karaktere

Nëna është e mirë edhe kur bën gabime, porse gabimet e saj kushtojnë dhe janë ndoshta më të shtrenjtat dhe më të ndjeshmet për vet historinë. Në këtë kuptim, figura që kanë bërë histori, duke vrarë mbase dhe njerëzit e gjymtuar vijnë si pasojë e vet pjellës dhe kohës së gjymtuar.

Nëna me vetëdije bëhet vrasëse, në të njëjtën kohë, biri i birësuar do të bëhet dhunues, të cilit loja me ushtarë i duket e mirë për fajin e pafajësinë e nënës, e cila ia kishte ble figurat e ushtarëve që në fëmijëri. Pra, të diturit (pa apo me vetëdije) dalin të jenë më të sëmurë sesa të sëmurët, në këtë rast.

Helverit loja me stërvinat e rrugës i duket normale përderisa ai rritet me atë model jete. Pra, dhuna po zhytej edhe më thellë në pleqërinë e plakës edhe në rininë e të riut dhe dallimi ishte se as njëri brez as tjetri nuk po mund ta shëronin atë sëmundje psikologjike e cila po vriste gradualisht ëndrrën e tyre për pyetje - përgjigjet e të nesërmes së tyre.

Drama, regjia dhe aktrimi

“Nata e Helverit” shquhet si tekst me vlera unike për faktin se bartë më vete një ndër fabulat më origjinale në të gjitha kuptimet. Pesha e tregimit e ndërtuar mbi supet e dy personazheve, ndoshta është modeli më i mirë se si të dëshmohet për një histori të tërë. Regjisori Altin Basha ka disa herë që në Prishtinë po përshfaqet me ide të reja mbi modelin e teatrit.

Edhe kësaj here ai do të shquhet për një regjisurë të pjekur me përplot jetë dhe atmosferë besueshmërie nga një logjikë psikologjike dhe fizike. Ai i ka ngelur besnik autorit përveçse kuzhinën, e cila është në qendër të dramës, ai e bartë qëllimisht në prapaskenë për të krijuar idenë se atje po zihen kockat e një tmerri të tërë historik. Matematika skenike (marrëdhënia, dinamika, ngrohtësia, mizanskena), ishte e koordinuar dhe zbërthyer natyrshëm me rrjedhat dramatike të dramës. Safete Rogova do të shquhet për energjinë fizike e mendore që ka karshi këtij roli kaq përmbajtjesor.

Interpretimi i saj ishte në konturat e kërkesave regjisoriale dhe në dinamikën e paraparë. Po kështu, edhe Lirak Çelaj do të shquhet për ngrohtësinë, atmosferën, marrëdhënien dhe interpretimin skenik. Skenografia e Iliriana Loxhës do të shquhet për pastërti si rinisje, pastaj, ajo nëpërmjet shenjave të bardha në formë kryqi e udhëkryqi të vendosura në muret gjermane, bartë më vete një simbolikë të fuqishme dhe të qëndrueshme. Skena e mbushur me tavolina dhe karrige vjen si tendencë ioneskiane (karriget).

Kostumet shtrihen dhe shkrihen natyrshëm me idenë. Efektet muzikore në raport me situatat e shumta dhe rrethanat e frikshme ndoshta nuk janë përplasur me idenë deri në fund. Gjithsesi, kjo shfaqje shënon një nismë serioze në TKK. Dhe një detaj tjetër që do të shënojë këtë ngjarje teatrore ishte se kishte publik që nuk janë parë asnjëherë ndoshta në teatër.

(autori është dramaturg dhe kritik arti)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›