E Shtunë, 31 Tetor 2026

Weaver konfirmon rolin në Avatar 2

Aktorja Sigourney Weaver thotë se do të paraqitet në vazhdimin e filmit shkencor-fantastik ‘Avatar’, pavarësisht se personazhi i saj vdes në filmin e parë. Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 11:01

“Mos u shqetësoni, do të kthehem”, ka thënë ajo për websajtin amerikan të filmit Coming Soon.

Weaver e ka luajtur rolin e botanistes Grace Augustine në filmin epik 3D, i cili grumbulloi më shumë se 2.7 miliardë dollarë nëpër tërë botën.

Personazhi i saj lëndohet për vdekje në një beteje për mjedis, por aktorja tha se regjisori James Cameron i ka thënë asaj se “askush kurrë nuk vdes në një film shkencor-fantastik”.
“Ai m’i ka treguar historitë për dy filmat e ardhshëm dhe më duhet të them se janë absolutisht të mrekullueshme”, shtoi ajo.

“Tani vetëm duhet t’i bëjmë ato”.

‘Avatari’ origjinal, i cili tregon rrëfimin e njerëzve që gërmojnë nën dhe në një planet të huaj duke kërkuar rezerva të mineralit të quajtur Unobtanium, është filmi me të ardhura më të larta në të gjitha kohët.

Regjisori James Cameron ka premtuar se do ta kthejë historinë në një trilogji nëse faturat e box office arrijnë në një miliard dollarë.

Puna në skenarë ka filluar por ende nuk ka orar të xhirimeve.

Kur të fillojnë xhirimet, ‘Avatar 2 dhe 3’ do të bëhen në të njëjtën kohë, me muaj të postproduksionit për të krijuar botën e huaj të prodhuar në kompjuter Pandora.
Duke folur në tapetin e kuq në dhënien e çmimeve Oscar në vitin 2010, Cameron pat pranuar: “Nëse do të filloja ‘Avatar 2’ nesër, ende do të ishte tri vite larg”.

Më vonë ai konfirmoi se data e lansimit të mundshëm të parë për vazhdimin e filmit ishte Krishtlindja e vitit 2014.

“Shefi, Jim Cameron, nuk do ta bëjë atë vetëm ashtu sa për ta bërë”, pat thënë vitin e kaluar aktori Sam Worthington për Radio 1 Newsbeat.

“Ai gjithmonë dëshiron të sfidojë, ai gjithmonë dëshiron të ecë përpara dhe unë mendoj se audienca do të ketë nevojë për ‘Avatar 2’”.

“Kur ai e gjen sfidën atëherë ne i kthehemi punës”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›