E Shtunë, 31 Tetor 2026

LEONARD AJKUN, geni i ritmeve të thyera ballkanaike



Petrika GROSI
Pas premierës së baletit “Rajmonda dhe Spartaku” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, balerini dhe koreografi i famshëm shqiptar që punon e jeton në Amerikë, Leonard Xhokaxhi, (Ajkun) tregon në një intervistë për gazetën “Albania” të gjitha detajet e shfaqjes, paskuintave, vështirësitë e baletit, marrëdhënien me balerinët shqiptarë, synimet e tij për të ardhmen etj.

Pse pikërisht tani, një balet heroik si Rajmonda dhe Spartaku”?
Po si mendon ti, pse një balet heroik? Eshtë thjesht një mendim që e kam pasur prej kohesh dhe doja ta realizoja në Teatrin e Operas dhe Baletit me trupën tonë. Janë vepra muzikalisht të mrekullueshme dhe subjekte tërheqëse për publikun. Spartaku nuk vihet shpesh në teatro sepse kërkon një trupë të madhe baleti dhe shpenzime të mëdha. E provova ta vija në skenë në Nju Jork me trupë të vogël baleti dhe funksionoi. Këtë përvojë e solla dhe këtu.

Cilët janë elementet më atraktive dhe më të vështirë për t'u realizuar sa i takon koreografisë?
Rajmonda është balet i thjeshtë sepse është akademik. I vetmi komplikacion që pati si balet është gërshetimi i pjesës së mazurkës me pjesën akademike (klasike) të paçkave. Pra gjithësecili nga këto grupe duhej të qëndronte brenda identitetit të tij. Te Spartaku ka më tepër liri veprimi, është më afër kontemporanes edhe si koncept muzikor. E veçanta është gërshetimi i veprimit skenik dhe forcës interpretative me elementët koreografikë.

A jeni kushtëzuar duke reduktuar ndonjë element që e kishit ndërmend, për shkak të kushteve, stafit dhe mjedisit të këtushëm?
Absolutisht jo. E mendova dhe e solla në skenë duke njohur më së miri të gjitha kushtet dhe mundësitë paraprakisht. Në muajin mars, punova me trupën dhe hodha materialin koreografik. Balerinët e këtushëm dhe ata të ftuar punuan me pasion dhe durim.

Ku mendoni se mund të jepej më shumë me këtë shfaqje, pra, në cilat drejtime?
Një shfaqje ndërtohet mbi brumin që ke dhe që gjen. Mund ta ndërtosh me shumë njerëz, me pak njerëz. E rëndësishme është që elementët e zgjedhur të jenë në harmoni dhe të përçojnë subjektin dhe emocionin e interpretëve dhe të krijuesit.

Si është të drejtosh një kompani baleti në ShBA?
Është si të drejtosh një institucion, por që nuk ka buxhet shtetëror. Pra gjithçka do ta mbështetësh në fuqitë e tua administrative dhe ekonomike. Risku është i madh dhe duhet të jesh i aftë të kapësh në momentin e duhur dhe formën e duhur të gjitha mundësitë financiare dhe menaxhuese që kompania të mund të vazhdojë të ecë gjithnjë e më mirë. Punohet pa pushim. Në vit kompania ime realizon 150 - 200 shfaqje.

A nuk ishte më i lehtë formimi dhe mbajtja e një kompanie baleti në Shqipëri?
Është tejet e vështirë me kushtet aktuale. Janë arsye legjislacioni, mundësie financiare, mënyra se si shiten shfaqjet. Do të vijë koha që edhe në Shqipëri që çdo shfaqje do të shitet me biletë. Konstatoj që gjithnjë e më shumë, publiku që frekuenton këtë lloj arti elitar është i ri. Pra e ardhmja e publikut do të jetë pozitive.

Shumë shqiptarë, duke pasur parasysh proporcionet me numrin e vogël të popullsisë sonë, kanë dalë balerinë të talentuar... Mendoni se në genet e këtij kombi ka diçka më tepër që na bën balerinë të lindur dhe jo vetëm disiplina artistike?
Patjetër. Sepse ky gen shpiku ato ritmet e thyera që gjenden në vallet tona popullore dhe që nuk gjenden në popuj të tjerë në Europë, por spikasin në vendet ballkanike. Sot Shqipëria është një vend i hapur dhe shkëmbimi i përvojave si në çdo fushë, edhe në art ka ndikuar dhe do të ndikojë gjithnjë e më shumë, që brezat e rinj të jenë edhe më profesionistë dhe talentet të gjejnë rrugën e tyre.

Meqë jemi te disiplina, a keni pasur probleme me të në Shqipëri?
Probleme me disiplinën ke që kur del nga dera e shtëpisë, duke nisur nga rregullat e qarkullimit, ku këmbësori nuk respektohet asnjëherë, te zhurma e tmerrshme e borive dhe kasetofonave të makinave, e deri te kafet e zhurmshme dhe trotuaret e zëna me karrige e tavolina. Kështu që edhe artistët ndikohen nga ky ambjent. Por kur vjen fjala për të punuar, jam i kënaqur nga rezultati dhe dëshira e tyre për të ecur para sëbashku.

Marrëdhëniet me trupën e TOB-it?
Ndihem i respektuar dhe përpiqem të jem sa më i qartë dhe bashkëpunues me të gjithë trupën. Trupa e TKOB-it është relativisht e re dhe shpesh kujtoj rininë time kur punoj me ta. Ndaj edhe kur diçka nuk shkon, përpiqem ta kaloj me kujdes dhe tolerancë. I rëndësishëm është rezultati përfundimtar.

Projekti më i afërt që do të realizoni pas premierës në Tiranë?
Di që do të largohem pas pak ditësh dhe që më pret një aktivitet shumë i gjerë artistik. Por kemi hartuar me drejtuesit e Teatrit të Operas dhe Baletit plane për një rikthim të shpejtë.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›