E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përmeti Multikulturor”, festivali ndërkombëtar i CIOFF-it në Shqipëri



Akademik Vasil S. TOLE
“Përmeti multikulturor” është festivali i vetëm ndërkombëtar i pakicave etnike, kulturore dhe gjuhësore i cili zhvillohet në Shqipëri nën siglën e CIOFF-it. CIOFF-i është komiteti ndërkombëtar i organizimit të Festivaleve Folklorike, në të cilin është antarësuar edhe vendi ynë. Seksioni shqiptar i CIOFF-it është me qendër në qytetin e Përmetit. Festivali i parë u organizua në vitin 2001 në Përmet më datën 21 qershor. Është zgjedhur kjo datë pasi UNESCO e ka shpallur 21 qershorin si “Ditën Botërore të Muzikës”, për faktin se 21 qershori është dita më e gjatë e vitit, si një ftesë e hapur e natyrës për të gjithë, për të shijuar diversitetin e jetës, kulturave dhe sigurisht të muzikës, anë e mbanë botës. Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor” është e vetmja veprimtari kulturore artistike që përfshin folklorin e pakicave dhe etnive që bashkëjetojnë në vendin tonë. Eshtë zgjedhur Përmeti pasi është qyteti që ka llojshmëri kulturore, atje bashkëjetojnë e ballafaqohen kulturat e etnive të ndryshme dhe është vendlindja e mjeshtrave të këngës popullore si Laver Bariu, Mentor Xhemali, Remzi Lela, etj. Kjo veprimtari multikulturore, ku përveç shfaqjeve që zhvillohen në sheshin e qytetit, organizohen edhe veprimtari të tjera si simpoziume, ekspozita, promovime botimesh, etj. Festivali gjallëron jetën kulturore të Përmetit dhe zonave rreth tij, promovon dhe ballafaqon vlerat kulturore të etnive dhe pakicave në shkallë vendi dhe rajoni, duke nxitur frymën e paqes dhe të dashurisë mes grupeve etnike e popujve të rajonit në dobi të integrimit evropian të Shqipërisë. Gjithashtu kjo veprimtari ka si qëllim të nxisë turizmin kulturor, debatin qytetar për problematikën e zhvillimit të qytetit në forumin “Alvero Koçollari” si dhe të gjallërojë biznesin vendas. Në këtë veprimtari është realizuar me sukses si bashkëpunimi me pushtetin vendor ashtu edhe me shoqatën e biznesit të qytetit të Përmetit, si dhe është veprimtari që ndiqet me mjaft interes nga publiku vendas duke u kthyer në një festë të këngës, valles popullore dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe materiale. Kjo veprimtari përbën një arritje të madhe për gjithë lëvizjen folklorike shqiptare pasi evidenton vendin tonë si një vend me pasuri të lakmueshme folklorike, integron traditat tona në skemën botërore të veprimtarive folklorike dhe krijon një pikë të rëndësishme referimi të CIOFF-it botëror në Shqipëri. Çdo organizues merr përsipër shpenzimet e veprimtarisë. Komiteti organizues i festivalit shpërndan diploma pjesëmarrjeje. Deri më sot në këtë aktivitet kanë marrë pjesë mbi 2100 artistë nga vendi dhe bota. Me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, në dhjetor 2006, u aprovovua Statuti i këtij festivali, si dokumenti ligjor i organizimit të këtij aktiviteti.
“Përmeti multikulturor” ka zënë vendin e merituar në skenën e festivaleve folklorike kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri, krahas “Odës Dibrane”-Dibër, “Sofrës Dardane”-Tropojë, “Sofrës ilire”-Fier, “Aulona Folk Festival”-Vlorë, festivaleve folkorike tipologjike të sazeve-Korçë, të rapsodëve në Lezhë, të vallëzimit në Lushnjë, të iso-polifonisë në Vlorë etj.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›